Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), ka thënë se ka pasur keqpërdorime, por mendon se në rastin “Stenta” nuk do të ketë të dënuar.
“Mënyra se si ka ndodhur ky rast, dështimi në përgatitje, ka qenë përgatitje për dështim, dhe unë besoj që s’ka kurrgjë për këtij rasti. Mundet me qenë diskutimi i fundit që po e bëjmë, por këtu me u dënu dikush është shumë e vështirë për shkak të gabimeve qoftë esenciale, qoftë procedurale. A kanë ndodhë keqpërdorime aty? Unë mendoj që po. Edhe ankesat tona e vërtetojnë. E kam një pacient që gjatë kohës i thoshin se këtu nuk kryhet kjo procedurë, ndërkohë mjeku e thirr spitalin privat se ‘qe erdhi edhe një prej meje’. Normalisht që pjesa e fitimit është aty”, ka thënë Kodra në “Tempus” të KTV-së.
Ai ka shtuar se keqpërdorimet parimisht ndodhin ku rrjedh paraja nga institucionet publike në ato private, ndërsa Kosova me këtë ligj nuk mund t’i shmangë këto.
Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Ferid Aganit, Gani Shabanit dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangie nga tatimi”. Të dy u shpallën të pafajshëm në gusht sivjet.
Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari Gani Shabani u gjykuan veçmas në rastin ‘Stenta 1’, mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.