Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Stenta 2”, lirohen nga akuzat 36 mjekë

Janë liruar nga aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ryshfet, 36 mjekët e akuzuar në rastin e njohur si “Stenta 2”. Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas trupit gjykues, 36 mjekët janë liruar sepse nuk është provuar se kanë kryer veprat penale që u viheshin në barrë.

Në këtë rast, fillimisht ishin të përfshirë 45 mjekë, por më pas procedura ishte veçuar për disa prej tyre, e dy kanë vdekur. Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar. Agani dhe Shabani, janë liruar po ashtu nga akuza.

VIDEO:

 

Mjekët akuzoheshin se nga 1 janari i 2011-s e deri më 31 dhjetor të vitit 2015, “i kanë referuar në dy spitale private pacientët e QKUK-së pa pasur nevojë për trajtime shtesë, duke shpërdoruar detyrën zyrtare të mjekut dhe duke marrë nga spitalet private 500 euro ryshfet për çdo stentë të vendosur te pacientët, e nga 150 euro për secilën koronarografi”.

Prokuroria Speciale pretendonte se dëmi ishte mbi 4.5 milionë euro, ndërsa vlera më vonë ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare në 11 mijë e 430 euro.

Mjeku Gani Bajraktari, një nga të përfshirët në këtë rast e ka cilësuar aktakuzën “sharlatane e joprofesionale”.

“Ka qenë e ditur se do të kalojë kështu. Qe 7 vjet e kemi thënë disa herë në media.... një profesionist qe për fat të keq sot udhëheq Prokurorinë e shtetit, dëshmoi se të gjithë kolegët tanë janë të pafajshëm, siç ka qenë e ditur, duke shkaktuar dëm të madh në radhë të parë te pacientët që janë frikësuar për trajtimin e tyre dhe kanë pësuar vdekje të shumta, që po të bëhet studim i mirëfilltë do të jenë me numër katastrofal. Përgëzoj trupin gjykues që ishte korrekt sesa kolegët e mi që e dinin se s’kanë faj”, ka thënë ai pas seancës. Sipas tij, referimi i pacientëve në spitale private nga QKUK-ja “është bërë konform udhëzimeve administrative”.

“Fatkeqësia ishte se kjo maskaradë, kjo lojë, zgjati më shumë se shtatë vjet dhe besoj se është shembull i mirë për të mos u përsëritur nga ata që kanë në dorë fatin e njerëzve siç ishte prokurori i rastit që për fat të keq bëri aktakuzë sharlatane, joprofesionale, të shkruar për nguti për të dëmtuar mua dhe kolegët e mi”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa mjeku tjetër Besim Gruda ka thënë se “dëmi ka qenë i madh në opinion, tek pacientët”. Ai e ka cilësuar të drejtë dhe meritor vendimin e Themelores.

VIDEO:

 

Artikuj të ngjashëm