38 mjekë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ryshfet në procedurën e veçuar për ta në rastin “Stenta 2” janë deklaruar të pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pretendimi që shumë nga ta shprehën, është se Prokuroria s’i ka lidhur konkretisht të akuzuarit me veprat penale që u ngarkohen dhe se e ka përdorur Kodin më të ri Penal në dëm të të akuzuarve.
“Asnjëherë nuk kam parë dispozitë të marrjes së ryshfetit pa shumë të caktuar. Ose 1 euro, ose 100 euro. Është supozim i përgjithësuar”, tha Driton Muharremi, avokat i Fisnik Halimit.
“Nuk kanë individualizuar veprime konkrete”, tha Egzona Gashi, avokate e Banush Gashit.
“Në vend se të akuzohet me Kodin Penal në fuqi, në kohën kur pretendohet që është kryer vepra penale, është akuzuar me Kodin Penal të vitit 2013”, tha Kadri Mjekiqi, avokat i Afërdita Selmanajt.
Ankesa u bënë edhe për stërzgjatjen e procesit gjyqësor që ka nisur në vitin 2016.
“Vij në këtë gjyq qe 6 vjet, nuk kam faj të përcaktuar”, tha Faik Shatri, i akuzuar në rastin “Stenta 2”.
Dy nga gjashtë dëshmitarët e ftuar nga Prokuroria thanë se ndihen të dëmtuar nga të akuzuarit.
“Po, shumë, jo vetëm materialisht, po edhe shpirtërisht. Diku 7.500 i kam dhënë”, tha dëshmitari Shefket Abdullahu.
Seanca e radhës në këtë rast do të vazhdojë të mërkurën, kur është paraparë dëgjimi i pjesës tjetër të dëshmitarëve.
Sipas Prokurorisë, nga 1 janari i 2011-s e deri më 31 dhjetor të vitit 2015, të akuzuarit i kanë referuar në dy spitale private pacientët e QKUK-së pa pasur nevojë për trajtime shtesë, duke shpërdoruar detyrën zyrtare të mjekut dhe duke marrë nga spitalet private 500 euro ryshfet për çdo stentë të vendosur te pacientët, e nga 150 euro për secilën koronarografi.