Hulumtuesja dhe monitoruesja e punës së Gjykatës Speciale Medina Kadriu, tha se kjo Gjykatë dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që nga fillimi kanë qenë joefikase në kryerjen e punës së tyre.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Kadriu renditi disa nga shkeljet që sipas saj, janë bërë nga kjo Gjykatë.
“Themelimi i gjykatës është shoqëruar me një bujë shumë të madhe, ku fillimisht dështoi votimi i saj e më pas u arrit votimi i saj në gusht të vitit 2015. Kjo Gjykatë si dhe Prokuroria që nga fillimi kanë qenë joefikase në kryerjen e punës së tyre”, tha Kadriu.
Sipas saj, kjo vërehet qartë nëse bëhet krahasim me ish-Tribunalin e Hagës, ku kësaj të fundit i janë dashur 8 vite për t’i përfunduar 32 raste në shkallë të parë, pa i llogaritur rastet që janë kthyer në rigjykim, kurse Speciales i janë dashur 7 vite për ta përfunduar në shkallë të parë, rastin e parë.
Kadriu tregoi edhe kronologjinë e rasteve në Gjykatën Speciale, se si kanë rrjedhë këto procese gjyqësore deri sot.
Edhe
Kadriu: Prokuroria Speciale me qasje joserioze
“Ndër shkeljet kryesore për mendimin tim kanë qenë që palët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë, trajtimi i barabartë i palëve është parim dhe është esencial që të zhvillohet një gjykim i drejtë, këtë nuk e kemi pa. Kemi pa që mbrojtja i ka pasur sytë e mbyllur për çështjen që Prokuroria e ka zhvilluar ndaj 4 të akuzuarve. Vetëm faza paraprake ka zgjatur mbi dy vite e gjysmë, ku të akuzuarit kanë qenë në paraburgim. Ka pasur redaktime të tepërta në aktin akuzues edhe në prova. Redaktimet më në fund u hoqën në janar të 2023-ës, çka më pas i shkaktoi prapë probleme mbrojtjes pasi u dashtë të shikojnë për alibi, pasi u shfaqën shumë akuza që nuk kanë qenë në dijeni për vendndodhje të caktuar dhe persona të caktuar, sikurse në rastin e zotit Selimi. Ku pasi u hoqën redaktimet nga aktakuza, mbrojtja kuptoi se ai po akuzohet nga Prokuroria për dy raste për pjesëmarrje direkte dhe individuale në krimin e pretenduar”, tha ajo.
Kadriu shtoi se ka pasur edhe vonesa të mëdha në nxjerrjen e provave, gjë që ua ka pamundësuar qasjen në shkresa të lëndës në të gjitha fazat e procedurës, mbrojtjes nuk iu ofruan lehtësira për ta përgatitur mbrojtjen, kishte vonesa në përkthime, ka pasur akuza për fshehje të provave shfajësuese, të cilat prokuroria e ka për detyrë t’ia vë në dispozicion të gjitha provat mbrojtjes dhe gjykatës.
Po ashtu, Kadriu tha se joserioziteti i Prokurorisë vërehet edhe tek fakti që kronologjinë e rasteve të paraluftës, gjatë luftës dhe pasluftës nuk e paraqesin në mënyrën e duhur.