TEMPUS

Gashi: Pa pikë transparence, Ligji i Pagave u bë shkel e shko

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës, Ali Gashi, në emisionin “Tempus” në KTV, duke folur për Ligjin për Paga, tha se ai është një ligj jofunksional. Sipas tij administrata publike e shërbimi civil ka luftuar me vite që ta ketë këtë ligj, por ai ka theksuar se Ligji aktual i Pagave është bërë shkel e shko dhe pa kurrfarë transparence.

“Të them të drejtën po ta shikojmë ecurinë, rrjedhën se si ka ardhur deri te miratimi, zbatimi i këtij ligji do të shohim një periudhë shumë të errët në aspektin e transparencës, pasi ka munguar transparenca”, tha Gashi.

Ai shoti se pyetjet që i kanë dërguar si Sindikatë drejtuar institucioneve, ka pasur raste që një Ministri thoshte se e kanë dërguar Ligjin tek Ministria e Thesarit, ndërsa Ministria e Thesarit sipas tij thoshte se është në kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Sa i përket çështjes së pagave të administratës, mund t’iu them me përgjegjësi se varion nga 12 euro deri në 40 euro dhe paramendoni se shumica absolute deri në 60% ose 65% e shërbyesve civil edhe në nivel qendror dhe atë lokal pothuajse janë pozicionuar në “profesional 3”, që është absurditet i llojit të vet që tani zyrtarët e qendrës civile, pylltarët, inxhinierët, punëtorët e drejtorive të ndryshme, janë barazuar me stafin teknik”, shtoi Gashi.

Ai theksoi se nuk mund të konsiderohet se ka pasur ngritje të pagës.