TEMPUS

“Do të derdhej gjak”, Ramaj tregon për kërcënimin me jetë pasi hulumtoi një tender milionësh

Gazetarja e Grupit KOHA, Saranda Ramaj, ka rrëfyer se si kishte marrë një kërcënim me jetë, pasi kishte hulumtuar rreth një tenderi të një kompanie.

Ajo ka theksuar se rastet e tilla nuk trajtohen me seriozitet, pasi ka mungesë profesionalizmi dhe se nuk kuptohet ende roli i gazetarëve.

“Unë kam pasur shumë raste të denoncimit të personave të ndryshëm në Prokurorinë e Shtetit. E di një rast kur e kam paraqit, ka qenë një rast kundër një kompanie për një tender goxha të madh, diku 5-6 milionë, i cili pati ardhur në zyre dhe iu ka thënë redaktorëve, ‘mirë që nuk është në zyre sepse do të derdhej gjak’. Ka qenë, pati polemizuar dhe kërcënuar goxha shumë në zyre të Kohës Ditore dhe kur pata shkuar në polici, çështja e parë që polici me pati pyet është ‘a patjetër u dashtë me shkru për këtë çështje, a nuk pate çështje tjera?’. Dhe atë e ka thënë në një formë kinse po kujdesej për sigurinë time, në atë farë forme se çka po përzihesh ti me ta, ti e di që mundesh me u rreziku”, ka treguar ajo në “Tempus” të KTV-së.

Sipas saj, kjo ka të bëjë me mungesën e profesionalizmit dhe mentalitetit e të respektimit të punës së gazetarëve në vend.

“Ata nuk e kuptojnë saktë cili është roli i gazetarëve dhe pa e kuptuar rolin e gazetarëve, që është përtej secilit interes, nuk mundet as policia, as prokuroria, as gjykata, të trajtojë raste të gazetarëve”, ka shtuar ajo.

Ramaj ka thënë se këto grupe, fillimisht tentojnë t’i korruptojnë gazetarët duke iu ofruar poste politike, pastaj duke iu ofruar ryshfet.

“Forma e dytë është e kërcënimeve fizike dhe kur e kuptojnë që ti nuk korruptohesh as nuk iu frikësohesh, atëherë fillon një linçim publik që i bëhet gazetarit dhe që i atakohet edhe jeta personale edhe integriteti profesional, edhe çdo aspekt tjetër i tij. Sepse më e rëndësishme për personat që kanë pushtet dhe personat që kanë para, është që një shkrim për ata ta shkruajë një gazetar që nuk ka integritet”, ka theksuar Ramaj.