Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Caka-Nimani: Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është historik

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Gresa Caka-Nimani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është historik.

Ajo thotë se fakti që Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, ka qenë disavantazh për Kosovën.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është proces historik, është proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për identitetin shtetëror të Kosovës, për identitetin ndërkombëtar të saj, por edhe për përforcimin e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore. Fakti që Kosova nuk ka qenë anëtare e Këshillit të Evropës, e ka disavantazhuar Kosovën në dy aspekte që mund të jenë relevante në kontekst të drejtësisë kushtetuese”, u shpreh ajo.

Sipas saj, janë dy aspekte në të cilën Kosovës i ka ndikuar negativisht mosanëtarësimi në KiE. Ajo thotë se Kosova nuk ka përfituar në mekanizmat monitoruese dhe se drejtësia në Kosovë nuk i është nënshtruar mbikëqyrjes së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“E para, përkundër faktit që instrumentet e Këshillit të Evropës kanë qenë të zbatueshme, të paktën shumica prej tyre të zbatueshëm në Republikën e Kosovës që nga vitit 2001, në mungesë të anëtarësisë në Këshillit e Evropës, Kosova në parim nuk ka përfituar në mekanizmat monitoruese që mbështet e ndërlidhen me këto instrumente. Së dyti, drejtësia në Kosovë nuk i është nënshtruar mbikëqyrjes së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, nënvizon kryetarja.

Edhe Caka-Nimani për deklaratat e Haxhiut: Kushtetuesja nuk pengon reformën në drejtësi TEMPUS Caka-Nimani për deklaratat e Haxhiut: Kushtetuesja nuk pengon reformën në drejtësi

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, ajo vlerëson, se do të ndikonte në sistemin e drejtësisë pozitivisht tek qytetarët e Kosovës, pasi që, sipas saj, qytetarët do të mund të kenë të drejtë shtesë në një mjet të ri juridik.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe mbikëqyrja e GJEDNJ-së në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës do të ndikonte, vlerësoj unë, pozitivisht. Së pari për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të cilët do të kenë të drejtën shtesë një mjetë të ri juridik për t'iu drejtuar GJEDNJ-së herë kur janë të pakënaqur me vendimet që nxjerrën nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës, gjithmonë nën kriteret e përcaktuara në konventë. E dyta, fakti që GJEDNJ do të mbikëqyrë sistemin e drejtësisë së Kosovës, unë vlerësoj, që do të ndikojë pozitivisht në besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës”, vlerëson ajo.

Caka-Nimani, thotë se Kushtetuesja ndër vite ka ndërtuar mekanizma të avancuar në mënyrë që të interpretojë drejt praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.

“Gjykata Kushtetuese ndër vite ka ndërtuar mekanizma jashtëzakonisht të avancuara në mënyrë që të kuptoj dhe interpretoj drejtë praktikën gjyqësore të GJEDNJ ndaj besimin që kur këto vendime të kontestohen para Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut të paktën shumica do të kalojnë testin e saj, për pasojë besimi në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës do të rritet”, thekson tutje.

Edhe Caka-Nimani: Gjykata Kushtetuese histori suksesi, ka vendosur parime dhe vlera demokratike TEMPUS Caka-Nimani: Gjykata Kushtetuese histori suksesi, ka vendosur parime dhe vlera demokratike

Kritika, mbikëqyrja, llogaridhënia, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, thotë se janë mekanizma esencialë për zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit, por sipas saj aq i rëndësishëm është edhe respektimi i institucioneve shtetërore. Sipas saj, Kushtetuta është simbol i rezistencës, i shpresës dhe i fitores së shtetit.

“Ne të gjithë duhet të ndajmë përkushtimin që të mbrojmë këto të arritura duke kultivuar njëkohësisht përkushtimin e shtuar për të hapur dhe vepruar drejt sfidave të reja dhe të arriturave të reja mbi të gjitha qëndron Kushtetuta. Kushtetuta nuk është thjesht një dokument i shkruar që tregon mënyrën e funksionit të shtetit, të shoqërisë dhe ndërveprimin e tyre, ajo e Kosovës është simbol i rezistencës, i shpresës, i fitores së shtetit. Është detyrë e secilit autoritet publik që të mbrojë shkronjën e frymën e saj dhe kështu mbrojmë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, u shpreh Caka- Nimani.