TEMPUS

Caka-Nimani: Gjykata Kushtetuese histori suksesi, ka vendosur parime dhe vlera demokratike

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se kjo Gjykatë ka një histori të jashtëzakonshme, ashtu si historia e institucioneve tjera të cilat duhen të analizohen në kontekst të rrugëtimit dhe shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.

“Një analizë gjithëpërfshirëse e shtrirë në kohë e punës së Gjykatës Kushtetuese reflekton rolin e saj të jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe përforcimin e shtetit të së drejtës, sundimin e ligjit dhe vlerat e demokracisë, po ashtu edhe avancimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore”, është shprehur kryetarja Caka-Nimani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo shtoi se 15 vjet më parë, Gjykata Kushtetuese kishte nderin të fillonte interpretimin e një Kushtetute të re, dhe ishte sfidë pasi nuk kishte traditë paraprake kushtetuese.

“Përmes praktikës së saj gjyqësore, ajo gradualisht ka konsoliduar parimet, vlerat që ndërlidhen me sundimin e ligjit, demokracinë, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, që reflekton në një Kushtetutë jashtëzakonisht moderne e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ajo.

Cakaj-Nimani tha se në vitet e para të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo gjykatë është ballafaquar me raste që kanë qenë të rëndësishme dhe komplekse. Ajo tha se janë dy fusha në të cilat gjykata ka pasur avancim të jashtëzakonshëm në vitet e fundit.

“E para, lidhet mbi kontrollin abstrakt dhe preventiv të kushtetutshmërisë, në kontekst të kërkesave institucionale që dorëzohen para Gjykatës Kushtetuese. Kujtoj që ndër vite, gjykata ka vendosur për parime që ndërlidhen me funksionimin e Presidentit të Republikës, me kuptimësinë e unitetit të popullit, procedurat që lidhen me zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi, me konsumimin e institucioneve pas zgjedhjeve dhe pas mocionit të mosbesimit, ndërveprimin mes pushtetit lokal e qendror, imunitetin e funksionarëve të lartë, përfshirë pavarësinë e institucioneve të pavarura kushtetuese, pushtetit gjyqësor dhe sistemit prokurorial”, ka theksuar Cakaj-Nimani.

Tutje, ajo ka thënë se në kontekst të kërkesave individuale, gjykata ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në përcaktimin e parimeve që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e detyrueshme edhe në rendin kushtetues të vendit.

Ajo tha se Gjykata Kushtetuese gëzon reputacion të shkëlqyeshëm në nivel të gjykatave kushtetuese simotra, përfshirë institucionet e drejtësisë kushtetuese në botë.

“Gjykata është anëtare e Komisionit të Venecias dhe siç e njeh vetë Komisioni i Venecias , gjykata jonë është ndër anëtaret me aktive të forumit të komisionit, njëjtë ndërvepron në kontekst të mekanizmave që ofron konferenca botërore e drejtësisë kushtetuese, përkundër faktit që Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, Gjykata ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, është shprehur tutje ajo.

E para e Kushtetueses, shtoi se kjo gjykatë për herë të parë është bërë anëtare me të drejta të barabarta me gjykata kushtetuese në rajon në kuadër të forumit ballkanik të gjykatave kushtetuese. Ajo tha se po punojnë intensivisht që të anëtarësohen në asociacionin franko-gjerman të gjykatave kushtetuese edhe konferencës evropiane të gjykatave kushtetuese.

Veç këtyre, ajo theksoi se reputacioni që gëzon kjo gjykatë, e tregon edhe pjesëmarrja e delegacioneve nga mbarë bota në shënjimin e përvjetorit të Gjykatës Kushtetuese në tetor të vitit 2023.