TEMPUS

Drejtori i IKD-së: Ministrat e Punëve të Brendshme s’duhet të shihen as në vend të ngjarjes

Ehat Miftaraj - IKD

 

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se ministrat e Punëve të Brendshme nuk duhet të shihen as në vend të ngjarjes.

Në “Tempus”, Miftaraj tha se Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor, e kanë pavarësinë operative të garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Tha se kjo nënkupton që nëse zbatohet ligji, politika nuk do të duhej të kishte qasje në aspektin operativ si funksionon PK-ja.

Sipas tij, nga paslufta, pavarësia e Policisë është varur kryesisht nga drejtorët e përgjithshëm të Policisë.

“Është një pamje jashtëzakonisht shumë e keqe për sytë me pa ministrin e Punëve të Brendshme apo politikanë që shkojnë në dhomën operative. Në bazë të sistemit që e ka Republika e Kosovës, në bazë të asaj se si funksionon Policia e Kosovës, ministrat e Punëve të Brendshme nuk duhet të shihen fare as në vendin e ngjarjes ku kryhen vepra penale, por nuk duhet të shihen as në operacione që udhëhiqen nga Policia e Republikës së Kosovës”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se puna e mirë që e bën ky institucion nuk është sukses i politikës, por sukses i Policisë dhe për këtë duhet të flasë vetëm drejtori i Policisë, apo personat përgjegjës në kuadër të saj.

“Nuk e lejon sistemi juridik kushtetues në vendin tonë, andaj politika sa ma larg që rri ndaj Policisë shumë më mirë do të ishte. Politika mund ta ndihmojë Policinë me buxhet duke i ofruar kushte pune për policë, sigurim shëndetësor, sigurim jetësor, t’i kenë gomat e verës në verë dhe ato të dimrit në dimër, të kenë trajtimin e duhur kur të shkojnë në veri që mos të rrinë nga një javë 10 ditë, të jetojnë me ushqim joadekuat”, u shpreh ai. /BetimipërDrejtësi


 Bylykbashi: S’kemi parë ndikime politike në Polici, por sukseset në këtë institucion po i atribuohen MPB-së

Doruntina Bylykbashi, gazetare në TV Dukagjini, tha se nuk është parë të ketë pasur ndikime politike në Policinë e Kosovës.

“Me aq sa kemi parë, sidomos me udhëheqjen e fundit që është drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, nuk duket që ardhja e tij në këtë pozitë ka ardhur specifikisht nga politika. Këtë të paktën nuk mund ta themi sepse zoti Hoxha kishte një të kaluar goxha të gjatë në institucionin e Policisë së Kosovës me pozita po ashtu goxha të larta menaxheriale”, tha Bylykbashi në “Tempus“.

Sipas saj, ka pasur disa dyshime për ndërrim të vendit të punës së disa hetuesve, e për çka kishte raportuar drejtori Gazmend Hoxha.

“Ishte një raportim i zotit Hoxha në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje, e që ishin disa dyshime që është ndryshuar vendi i hetuesve të cilët ishin marrë me ministrat të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale për të cilët akoma nuk ka akuza. Ajo ishte çështja kryesore që është ngritur për ndikime politike gjatë udhëheqjes së tij deri tani, por një gjë e tillë nuk është faktuar akoma të paktën është mohuar edhe nga vetë drejtori i Policisë dhe raste të tjera nuk është se kemi raportuar deri tani”, ka thënë Bylykbashi.

Gazetarja tha se sukseset e Policisë po i atribuohen Ministrisë së Punëve të Brendshme

“Vetëm çka më pengon tek udhëheqja e fundit, është kur Policia e Kosovës ka suksese të mëdha i atribuohen Mnistrisë së Punëve të Brendshme, për shembull është ministri Xhelal Sveçla që del në konferencë për media dhe tregon që Policia e Kosovës ka kryer një aksion të suksesshëm. Unë mendoj që në këtë rast do të duhej të dilte drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, se kur po ka diçka negative po i drejtohemi atij”, tha Bylykbashi. /BetimipërDrejtësi


Miftaraj: Mbi 95% të rasteve Prokuroria Speciale bën hetime administrative dhe jo penale

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i ftuar në “Tempus”, tha se mbi 95% të rasteve Prokuroria Speciale bën hetime administrative dhe jo penale.

“Sa i përket luftimit të korrupsionit të profilit të lartë na del që fatkeqësisht Prokuroria Speciale si e mandatune me luftu korrupsionin në nivel të lartë nuk bën hetime penale por bën hetime administrative. Çka nënkupton kjo, kjo nënkupton se nëse Policia e Kosovës e dërgon një kallëzim penal, Agjencia Kundërkorrupsion e dërgon një kallëzim penal, Prokuroria pothuajse nuk i shfrytëzon fare ose hiç, mbi 95 për qind të rasteve nuk shfrytëzon fare ose hiç për shembull, masat e fshehta të hetimit ose masat tjetër të mbikëqyrjes që në njëfarë mënyre m’u zbulu veprat penale të korrupsionit, sepse korrupsioni nuk është vepër penale që kryhet vetëm me letra, ne e dimë që është vepër shumë më komplekse dhe zakonisht kur dikush don me ba dallavere ose me montu një tender, duhet të ketë takime paraprake”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se del që mbi 95%, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë mbi dokumentet që merren gjatë fazës së hetimeve nga ana e Policisë apo agjencitë tjera që zbatojnë ligjin.

Miftaraj tha po ashtu se kjo dëshmon se kur prokurorët nuk i shfrytëzojnë mundësitë që ua jep Kodi i Procedurës Penale, vjen deri të lirimi i të akuzuarve.

“Kur prokurorët nuk i shfrytëzojnë mundësitë që ua jep Kodi i Procedurës Penale ose kur nuk i japin autorizimet e duhura policisë, atëherë se sigurisht kemi raste që pastaj përfundojnë pothuajse mbi 90 për qind me aktgjykime liruese ose kur s’kemi fare sekuestrim apo konfiskim të dobisë pasurore të fituar përmes veprave penale të korrupsionit”, shtoi Miftaraj.

Sipas tij, prokurorët nuk i shfrytëzojnë mundësitë tjera që ua jep Kodi për t’i mbajtur llogaridhënës policinë.

“Ne shohim që mbi 95% të rasteve, mbi 90% të rasteve të dyshuarit merren në pyetje nga policia vetë”, tha ai.

Miftaraj përmendi që në rastin e Banjskës, politika e akuzon Prokurorinë për mosngritje të aktakuzës. Thotë se pa u bërë ekzaminimet e provave nuk mund të ngrihet aktakuza.

Në anën tjetër, kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, tha se prokuroritë duhet të kërkojnë më shpesh veprime hetimore shtesë nga Policia.

“Ne zakonisht nuk i dërgojmë lëndët në Prokurori, qoftë kallëzimet penale, qoftë raportet e veçanta pa e pas një konsultë paraprake për shkak se ne konsiderojmë se përfundimi i hetimeve në IPK duhet të jetë si rezultat i bashkërendimit të aktiviteteve me prokurorinë dhe sigurisht ka raste kur ne në dakordim me prokurorët ngrisim kallëzime penale e pastaj të njëjtat hudhen poshtë. Nuk do të thotë se kur hudhen poshtë dhe ne kemi të drejtë, mund të mos jetë kallëzimi penal i argumentuar mirë edhe prej anës tonë apo hetuesve policorë, mirëpo unë konsideroj se ndoshta prokuroritë duhet më shpesh të kërkojnë veprime hetimore shtesë”, tha Hodaj. /BetimipërDrejtësi


Rrjedhja e informacioneve nga Policia, Hodaj: Po i dëmton edhe qytetarët

Kushtrim Hodaj, kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), duke folur në “Tempus” për rrjedhjen e informacioneve nga Policia, tha se kanë plan për inspektim dhe se kjo dukuri dëmton edhe qytetarët.

“Është një prej problematikave me të cilën jemi duke u ballafaqu edhe ne, Policia e Kosovës në radhë të parë, por edhe ne si organ mbikëqyrës. Rrjedhja e informacione në radhë të parë mund të dëmtojë procesin hetimor të ndonjë hetimi, mund të shkaktojë edhe pasoja jo vetëm në integritetin e hetimit të procesit, por edhe tek njerëzit që janë pjesë e këtij procesi dhe arsyeja tjetër është se kjo nuk duhet të lejohet për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale dhe obligimeve ligjore që kemi nga Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. Ne veç jemi duke planifikuar një inspektim të jashtëzakonshëm për të verifikuar masat që ndërmerr Policia për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, mbrojtjen e të dhënave të viktimave sidomos dhe personave që janë në procedurë”, tha Hodaj.

Kreu i IPK-së po ashtu tha se kanë diskutuar me Agjencinë për Informim dhe Privatësi që bashkërisht të bëjnë një inspektim për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ne e kemi diskutuar edhe me Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave që të zhvillojmë një inspektim për të verifikuar masa që ndërmerr policia për shkak se është problematikë”, theksoi Hodaj.

Sipas tij, kur ka rrjedhje të informacioneve duhet zbatuar masat e fshehta, ekzaminim të telefonave dhe se nuk është e lehtë që të lëshohen urdhëresat nga Prokuroria në këtë drejtim.

“Kemi pasur raste ku kemi gjet apo kanë rezultu hetimet e suksesshme, mirëpo nuk janë të kënaqshme, nuk janë në nivelin e kënaqshëm, duke marrë parasysh nivelin e informacioneve që shpërndahen dhe shohim gjatë gjithë ditës, kjo dëmton sigurisht edhe hetimin, por edhe qytetarët për shkak se të dhënat personale janë të ndjeshme dhe janë të shenjta e nuk duhet të dalin në publik”, tha Hodaj. /BetimipërDrejtësi


Miftaraj thotë se rrjedhja e informacioneve nga Policia dhe Prokuroria cenon integritetin e hetimit

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se rrjedhja e informacioneve në medie me detaje rreth aksidenteve në trafik nuk mund të bëhet pa ndihmën e zyrtarëve policorë brenda. Sipas tij, rrjedhja e këtyre informacioneve si nga Policia ashtu edhe në raste tjera nga Prokuroria, po e cenon edhe integritetin e vet hetimit.

Për këtë, Miftaraj në “Tempus” tha se Inspektorati Policor i Kosovës dhe mekanizmat tjerë brenda Policisë duhet të ndërmarrin veprime.

“Një pjesë tjetër ku besoj duhet të përfshihet edhe Inspektorati Policor i Kosovës por edhe mekanizma të tjerë të Policisë, në kuadër të inspektimeve të rregullta që bëhen brenda Policisë, ka të bëjë me faktin që ka filluar të shndërrohet në fenomen mund të them në vitet e fundit ku nëse ndodh një aksident në Dragash, në Prishtinë, ende pa shkuar 15 minuta, gjysmë ore ose pa e marrë lajmin familjarët ose se familjari i ka vdekur në aksident, do të thotë del emri-mbiemri i viktimës, foto e tij, dhe kjo nuk mund të bëhet pa ndihmën e zyrtarëve policorë brenda”, tha Miftaraj.

Sipas tij, ajo është informatë që duhet trajtuar me kujdes askush nuk dëshiron ta shoh në medie atë që u ka ndodhur familjarëve të tyre në një aksident pa e marrë atë informatë personalisht.

Kjo gjë thotë se më pas po keqpërdoret nga mediet e caktuara. E njëjta gjë, sipas Miftarajt, vlen edhe tek arrestimet në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ke disa medie të privilegjuara, të cilat nuk e dimë se si por do të thotë se kemi pasur raste vetë si IKD për një rast shumë të lartë të profilit të korrupsionit shkon në ora 10:00 e jep deklaratën, del në ora 1:00, në ora 1:15 krejt deklarata e të pandehurit është nëpër medie. Kjo është shumë shqetësuese”, tha Miftaraj.

Rrjedhja e këtyre informatave, Miftaraj thotë se e cenon edhe integritetin e vet hetimit.

“Ne jemi vetë media, jemi vetë organizatë joqeveritare dhe kemi për transparencë një informatë që e marrim dhe është në interes të publikut, ne e plasojmë. Por, Policia e Kosovës, në këtë rast Prokuroria do duhej këto informata t’i ruajnë sepse kjo pastaj e cenon edhe integritetin e vet hetimit, ndjekjes penale. Për qytetarin pastaj kur e sheh këtë fenomen, atëherë e humb edhe besimin te policia se sa janë profesional. Besoj që kjo nuk është diçka e organizuar brenda Policisë së Kosovës për ma shumë individë të caktuar të cilët e keqpërdorin informatën që e marrin gjatë një hetimi, gjatë marrjes në pyetje të dikujt apo gjatë hartimit të raportit për një aksident të caktuar”, tha Miftaraj. /BetimipërDrejtësi


Shtohen ankesat ndaj zyrtarëve policorë, rekomandohet suspendimi i 39 prej tyre

Kushtrim Hodaj, kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), tha se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka pasur 30% rritje të numrit të ankesave ndaj zyrtarëve policorë, krahasuar me vitin paraprak.

“Inspektorati Policor i Kosovës është duke pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave viteve të fundit. Në bazë të analizave statistikore, rezulton që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi diku 30% më shumë ankesa në raport me vitin e kaluar. Vitin e kaluar kemi pranuar diku 1 mijë e 700 ankesa të cilat i kemi administru dhe hetu, një numër të konsiderueshëm të tyre edhe në hetim penal. Ndërsa, këtë vit janë diku rreth 950 ankesa që janë pranu vetëm në gjashtëmujorin e parë”, tha Hodaj në emisionin “Tempus” në KTV.

Sipas tij, qytetarët ankohen për sjellje të ndryshme, nga mënyra e komunikimit të zyrtarëve policorë me qytetarë, gjobat në trafik, keqpërdorim të detyrës zyrtare, për dhunë në familje, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, tejkalim të autorizimeve, përdorim të forcës së tepruar e të panevojshme.

“Këto janë pak a shumë shkeljet tipike me të cilat ballafaqohet Policia jonë, por ndoshta edhe gjitha policitë për shkak të natyrës së punës dhe autoritetit që ia jep ligji që ndonjëherë të përdorë edhe dhunë, edhe përdorimin e forcës, por kur kjo tejkalohet bie në shkelje disiplinore apo penale dhe ne duhet ta trajtojmë”, tha Hodaj.

I pari i IPK-së tha se kanë paraqitur kallëzime penale ndaj 80 zyrtarëve policorë dhe se është rekomanduar suspendimi i 39 prej tyre.

“Nëse i marrim shifrat e këtij viti, kemi diku 80 zyrtarë policorë për të cilët ne kemi paraqit kallëzime penale apo raporte të veçanta në prokuroritë kompetente, në prokuroritë themelore apo Prokurorinë Speciale, varësisht prej natyrës së rasteve. Ne kemi rekomandu suspendimin e 39 zyrtarëve policorë si rezultat i këtyre hetimeve penale që kemi zhvillu. Kemi rekomandu transferin nga detyrat e punës për tre zyrtarë policorë dhe kemi arrestu tetë zyrtarë policorë dhe një qytetar të përfshirë në këto vepra penale për të cilët kemi zhvillu hetime penale në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, tha Hodaj.

Paraprakisht, ai tha se nuk kanë arritur të dokumentojnë se ka pasur rrjedhje të testit në procesin e gradimit për rreshter.

“Ne nuk kemi arrit me dokumentu diçka të tillë dhe…ka pasur informacion se ka qarkullu në rrjete sociale një test me disa përgjigje, mirëpo gjatë procesit është vërtetu se nuk ka qenë testi i njëjtë që është përdorë në konkurs. Pra, nuk ka qenë e vërtetë që ka pas informacion apo fotografim apo test që është shpërndarë në rrjete sociale. Është mendu një që ka qarkullu gjatë fazës së testimit, mirëpo është vërtetu qysh atë ditë që nuk ka qenë testi i njëjtë”, u shpreh Hodaj. /BetimipërDrejtësi


Procesi i gradimit për rreshter, gazetarja Bylykbashi thotë se ka pasur raportime për shpërndarje të testit

Doruntina Bylykbashi, gazetare në TV Dukagjini, tha se zyrtarët policorë kanë raportuar tek ata se në procesin e gradimit për rreshter, ka pasur shpërndarje të testit.

“Konkursi në Policinë e Kosovës ishte hapur në shkurt dhe raportimin e parë që e kemi bërë për këtë çështje ka qenë muaji prill, diku kah fundi i muajit prill. Ishte planifikuar që testimi të bëhej më 10 maj. Ne raportimin e bëmë pjesëmarrjen pikërisht të gjeneratës së 54-të në atë testim që doli të jetë në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ ashtu sikurse e përmendi edhe kryeshefi që pastaj pas punës që e kanë bërë këta kanë konstau edhe raportimet të cilat ne i kemi bërë”, tha Bylykbashi në “Tempus”.

Sipas saj, pas testimit shumë zyrtarë policorë u janë drejtuar pasi e kanë parë si diskriminim faktin që një gjeneratë ka hyrë në testim kundërligjshëm.

“Ky ishte raportimi i parë që bëmë dhe me sa duket nuk e kishte atë ndikimin e madh që të largohet gjenerata e 54-të para testimit, që të mos hynë në testim, pastaj që të mos krijohet kjo situatë e cila tash ka ardhur që është anulimi. Pas testimit pati shumë zyrtarë policorë të cilët me gjasë pos që iu kanë drejtu Inspektoratit, na janë drejtu edhe neve si adresë, meqë e kanë pa që jemi marrë me atë çështje dhe ata le të themi e kanë pa si diskriminim faktin që një gjeneratë ka hyrë në testim kundërligjshëm, duke e ditur që pikërisht zyrtarëve policorë të cilët ishin më të vjetër, iu ka ndodhur një diskriminim për faktin se 11 vite s’ka pasur këso lloj konkursi”, shtoi ajo.

Gazetarja Bylykbashi tha se kanë qenë diku mbi 300 zyrtarë policorë të gjeneratës së 54-të të cilët potencialisht kanë mundur t’ua zënë vendin zyrtarëve policorë që kanë pritur këtë konkurs për 11 vite.

“Pastaj kjo ishte çështja që ne e ngritëm, duke pasur edhe raportime që brenda testimit ka pasur edhe shpërndarje të testit për zyrtarët policorë të gjeneratës së 54-të, gjë që nuk është në raportin e Inspektoratit mbase për shkak të mungesës së fakteve, por kjo ka qenë raportim i zyrtarëve policorë që ka ardhur në drejtim tonin. Pastaj, kjo bëri një bujë të madhe- shpërndarja e testit për ta dhe tashmë jemi tek rezultati i një inspektimi të jashtëzakonshëm të Inspektoratit”, tha ajo, duke shtuar se është e kënaqur me ndikimin e raportimit të tyre. /BetimipërDrejtësi


Çka gjeti Inspektorati Policor i Kosovës në procesin e gradimit për rreshter?

Kushtrim Hodaj, kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), tha se pas inspektimit të procesit të gradimit për rresher, kanë gjetur se kriteret e shpalljes së konkursit nuk kanë qenë në harmoni me Udhëzimin Administrativ.

I ftuar në “Tempus”, Hodaj spjegoi se pas pranimit të një numri të konsiderueshëm të ankesave të disa kandidatëve që kanë qenë pjesë e procesit dhe publikimeve në medie për dilema rreth asaj se a kanë të drejtë një kategori e caktuar t’i nënshtrohen testit, është realizuar një inspektim i jashtëzakonshëm për të verifikuar rrjedhën e procesit.

Ai tha se gjithashtu kanë krijuar një grup punues që ka trajtuar ankesat rreth këtij procesi dhe tashmë ka përfunduar raporti sa i përket pjesës së inspektimit, ku janë disa të gjetura.

“Nuk kemi arrit deri në këtë fazë që të dëshmojmë inkriminime penale të zyrtarëve të caktuar, mirëpo disa dilema që janë ngritë ne kemi konstatu që ekzistojnë dhe pikërisht kjo që ka qenë dilema bosht apo tema kryesore e të drejtës për aplikim të një gjenerate të caktuar të Policisë e cila nuk i kishte plotësuar njërin nga kriteret e Udhëzimit Administrativ që kërkon të kenë pesë vite përvojë pune në Policinë e Kosovës dhe prej tyre dy vite në gradën polic i lartë, një gjeneratë nuk e kishte të arritur këtë kriterin e dytë- kalimit të gradës polic i lartë dhe për këtë ne kemi konsideruar që kriteret e shpalljes së konkursit nuk kanë qenë në harmoni me Udhëzimin Administrativ”, tha Hodaj.

Rrjedhimisht, ai thotë se janë prodhuar disa pasoja gjatë zhvillimit të procedurës që është dashtë të lejohet qasja apo të mos shfrytëzohet sistemi elektronik i menaxhimit të të dhënave, por t’iu lejohet manualisht t’i plotësojnë të dhënat e caktuara.

Kjo ngase sipas Hodajt, sistemi i filtron kandidatët në bazë të kritereve që parasheh udhëzimi.

“Në këtë rast ka ndodhur një shkëputje apo një jo-harmonizim i kritereve siç janë në Udhëzim Administrativ, dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që disa shkelje janë evidentu dhe ne kemi kërku që kjo të rregullohet dhe Policia tashmë ka nxjerrë një vendim pas rekomandimeve tona për ta kthy procesin në pikën zero”, shtoi Hodaj.

I pari i IPK-së tha se besojnë që këto kritere dhe kërkesat e rregullores duhet të qartësohen, në mënyrë që procesi i ardhshëm t’i ketë kriteret e qarta. Po ashtu, tha se duhet të ketë monitorim edhe me kamera dhe që personat që do ta monitorojnë procesin t’i kenë njohuritë e duhura se si duhet të zhvillohet ky proces./BetimipërDrejtësi