Tech

Xiaomi patenton slajderin me katër kamera në anën e pasme dhe dy në anën e përparme

Xiaomi sapo e ka paraqitur kërkesën për patentë në CNIPA (Chinese National Intellectual Property Agency) për një pajisje me katër kamera në anën e pasme. Pjesa e përparme është plotësisht e mbuluar me ekran, ndërsa dy kamerat selfie dhe blici LED janë të fshehura në mekanizmin e slajderit, ngjashëm me modelin Mi Mix 3, raporton Tigermobile.

Skema paraqet një koncept interesant, i cili u ngjan shumë elementeve të dizajnit Moto. Megjithatë, nuk ka sensor për gjurmë të gishtave, që do të thotë se ky element është vendosur nën ekran (i cili duhej të ishte i tipit AMOLED) ose nuk është përfshirë fare në skica, shkruan KOHA Ditore. Opsioni i parë tingëllon më i logjikshëm, pasi që bëhet fjalë për një patentë me pamje të përgjithshme të pajisjes. Gjithashtu, telefoni shihet pa portin 3.5mm dhe me atë USB-C në pjesën e poshtme.

Image

Edhe një tjetër patentë është zbuluar, dhe tregon një telefon me tri kamera vertikale në anën e pasme dhe dy kamera selfie. Megjithatë, në vend të prerjes në formë të pikëzës, notchi në krye është paksa i lakuar, për ta mbajtur një pamje më koherente të ekranit.

Image

Mbetet të shihet nëse këto skica do të shndërrohen në telefona konkretë, apo Xiaomi vetëm po e mbron pronën intelektuale pa synuar që t’i aplikojë zgjidhjet nga ato në pajisjet e ardhshme.