Hulumtimi i ri i gjerë tregon se shtypja në telefon e ka kapur ndjeshëm ritmin me shtypjen në tastierat fizike. Hulumtuesit nga universitetet Alto dhe Cambridge si dhe ETH nga Cyrihu e kanë analizuar shpejtësinë e shtypjes së dhjetëra mijëra përdoruesve të telefonave dhe kompjuterëve, raporton TweakTown.
"Jemi të mahnitur me aftësinë e përdoruesve, të cilët me dy gishta i shtypin mesatarisht 38 fjalë në minutë, që është rreth 25% më ngadalë se shpejtësia e shtypjes që është vërejtur tek përdoruesit në tastiera fizike", vuri në dukje Anna Feit nga ETH Cyrih.
Hulumtuesit gjithashtu zbuluan se ndërsa shtypja në tastierën fizike është ende më e shpejtë, numri i njerëzve që i arrijnë 100 fjalë në minutë po zvogëlohet, shkruan KOHA Ditore. Kjo do të thotë që përdoruesit e telefonave të mençur po e zvogëlojnë gjithnjë e më shumë dallimin midis shpejtësisë së shtypjes në tastierë dhe asaj në telefona. Studimi zbuloi gjithashtu se në mesin e 37.000 vullnetarëve (të cilët varionin sipas moshës dhe demografisë), 74% shtypnin me dy gishta.
Hulumtimi përmend, gjithashtu, se të rinjtë (midis 10 dhe 19 vjeç) i shtypin rreth 10 fjalë në minutë më shumë sesa ata që janë në të 40-tat e tyre.