Një studim i ri ka zbuluar se të rriturit mbi moshën 50 vjeç që përdorin rregullisht telefonat, kompjuterët dhe tabletët kanë 42 për qind më pak rrezik për dëmtime të aftësive njohëse dhe 74 për qind më pak rënie të aftësive mendore, krahasuar me ata që i përdorin pak ose aspak, ka raportuar AOL.
Kjo mund të lidhet me faktin se përdorimi i teknologjisë e sfidon trurin dhe ndihmon në mbajtjen e lidhjeve shoqërore. Megjithatë, studiuesit theksojnë se jo çdo përdorim i ekranit është i dobishëm dhe se nevojiten studime të tjera për të kuptuar se sa kohë dhe çfarë lloj përdorimi është më i mirë, si dhe nëse këto përfitime vlejnë edhe për të rinjtë apo fëmijët.
Shpesh është raportuar që telefonat e mençur nuk janë të mirë për shëndetin. Por studimi i ri sugjeron se, te një moshë e caktuar, përdorimi i telefonit mund të jetë i dobishëm për trurin.
Studimi, i publikuar në Nature Human Behavior, ka analizuar të dhëna nga 57 studime të mëparshme mbi përdorimin e teknologjisë dhe shëndetin mendor, që përfshinin më shumë se 400 mijë persona mbi moshën 50 vjeç në mbarë botën. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 69 vjeç dhe të gjithë kishin bërë teste të aftësive njohëse ose kishin diagnozë për demencë.
Studiuesit nuk gjetën asnjë provë që përdorimi i telefonit rrit rrezikun e rënies së aftësive njohëse. Përkundrazi, ata zbuluan se përdorimi i telefonit, kompjuterit apo tabletit lidhej me rrezik më të ulët për dëmtim të aftësive njohëse.
Pse përdorimi i telefonit pas të 50-ave mund të jetë i dobishëm?
Studimi nuk e shpjegon saktësisht arsyen, por ekspertët kanë disa teori.
Sipas neurologut, Amit Sachdev, përdorimi i teknologjisë kërkon të mësuar dhe përfshirje të aftësive njohëse.
“Një nga mënyrat më të mira për të ulur rrezikun e rënies së aftësive njohëse në moshë të shtyrë është përdorimi aktiv i trurit gjatë jetës”, ka thënë ai.
Neurologu, Clifford Segil, ka shpjeguar se teknologjia aktivizon disa shqisa njëkohësisht.
“Shikimin, leximin, përpunimin e informacionit dhe koordinimin sy-dorë. Përdorimi i telefonit apo emailit është një ushtrim i përditshëm për trurin dhe humbja e këtyre aftësive mund të jetë po aq e rëndë sa humbja e aftësisë për të drejtuar makinën apo për të menaxhuar financat”, ka thënë Segil.
Profesori, Michael Scullin, ka shtuar se pajisjet dixhitale përfshijnë shpesh shpërqendrime, si njoftime apo reklama, dhe përpjekja për t’u përqendruar mes tyre është vetë një sfidë mendore.
Ai ka theksuar edhe aspektin shoqëror.
“Vetmia dhe izolimi social lidhen me rënie më të shpejtë të aftësive njohëse te të moshuarit, ndërsa telefonat ndihmojnë në ruajtjen e kontakteve përmes mesazheve apo thirrjeve me video”, ka thënë ai.
Po ashtu, telefonat shërbejnë si ndihmëse për kujtesën, për shembull për kujtimin e termineve mjekësore ose ditëlindjeve, gjë që ndihmon në ruajtjen e lidhjeve shoqërore dhe në kujdesin për shëndetin e përgjithshëm.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se jo çdo përdorim i ekranit është i dobishëm.
Shikimi pasiv i videove për orë të tëra nuk e stimulon trurin në të njëjtën mënyrë.
A përfitojnë edhe të rinjtë?
Ndoshta po, por kjo ende po studiohet. Sipas Scullin, gjithçka varet nga mënyra se si përdoret telefoni, nëse përdoret vetëm për të parë përmbajtje apo për aktivitete që kërkojnë angazhim aktiv.
“Gjetjet sugjerojnë se pajisjet dixhitale nuk janë as plotësisht të mira, as plotësisht të këqija, rëndësi ka si dhe kur përdoren”, ka thënë Scullin.