Lifestyle

Fëmijët nën 12 vjeç që mbajnë telefona, më të ekspozuar ndaj problemeve shëndetësore

Fëmijët dhe telefonat e mençur

Fëmijët dhe telefonat e mençur

Të kesh një telefon të mençur para moshës 12-vjeçare mund të jetë e dëmshme për shëndetin e fëmijëve, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Pediatrics, ka raportuar CBS News.

Studimi zbuloi se fëmijët që kanë telefon personal gjatë moshës së hershme të adoleshencës kanë rrezik më të lartë për probleme të shëndetit mendor dhe obezitet. Te ndikimet psikologjike, studiuesit vunë re më shumë raste depresioni dhe mungese gjumi tek ata që kishin telefona të mençur para moshës 12 vjeç, krahasuar me bashkëmoshatarët që nuk kishin telefon.

Studiuesit nga Children’s Hospital Philadelphia, Universiteti i Kalifornisë në Berkeley dhe Universiteti Columbia analizuan të dhënat e mbi 10.000 adoleshentëve në SHBA, të cilët ishin pjesë e studimit kombëtar ABCD (një nga studimet më të mëdha afatgjata për zhvillimin e trurit dhe shëndetin e fëmijëve).

Sipas të dhënave, 63.6 për qind e pjesëmarrësve kishin telefona të mençur, dhe mosha mesatare kur e morën ishte 11 vjeç. Sa më të vegjël ishin fëmijët kur merrnin telefon, aq më i lartë ishte rreziku për gjumë të dobët ose obezitet.

“Ne as nuk pamë çfarë bënin fëmijët me telefon. Pyetëm vetëm: a ka ndikim në shëndet vetë fakti i pasjes së një telefoni të mençur?”, ka thënë për CBS News Ran Barzilay, autori kryesor i studimit.

Studimi ka treguar gjithashtu se një vit më vonë, fëmijët që nuk kishin telefona të mençur kishin shëndet mendor më të mirë se ata që e kishin telefon.

Barzilay ka theksuar se rezultatet nuk ndryshuan edhe kur u mor parasysh fakti që fëmijët mund të përdornin pajisje të tjera si tabletë apo iPad.

Ai i këshillon prindërit të jenë të kujdesshëm: telefoni i mençur duhet parë si një faktor i rëndësishëm që ndikon në shëndetin e të rinjve. Ani pse telefoni mund të ndihmojë në mësim, komunikim dhe siguri, është e nevojshme të merret një vendim i matur.

Studiuesit planifikojnë të analizojnë më tej se cilët elementë të përdorimit të telefonit shkaktojnë më shumë dëm, përfshirë edhe fëmijët që marrin telefona të mençur para moshës 10 vjeç, për të kuptuar se kush është më i ndjeshëm ndaj efekteve negative.

Në vitet e fundit, ekspertët janë gjithnjë e më të shqetësuar për kohën e tepërt të qëndrimit para ekraneve. Në një raport të vitit 2023, ish-kirurgu i përgjithshëm i SHBA-së, doktori Vivek Murthy, ka rekomanduar “zona pa teknologji” dhe inkurajimin e miqësive ballë për ballë.

Sot, sipas Pew Research Center, 95 për qind e adoleshentëve 13-17 vjeç kanë telefona të mençur. Madje, më shumë se gjysma e prindërve kanë thënë se edhe fëmijët 11-12 vjeç posedojnë një.

“Shumë shpejt, pothuajse të gjithë adoleshentët do të kenë një telefon. Kur të ndodhë kjo, është e rëndësishme të monitorojmë çfarë bëjnë në telefon, të sigurohemi që nuk shohin përmbajtje të papërshtatshme dhe që përdorimi i telefonit nuk po u prish gjumin”, ka thënë Barzilay.