Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Roboti i NASA-s vazhdon hulumtimet në Mars

Roboti “Perseverance” i agjencisë amerikane të NASA-së me sukses është duke vazhduar fushatën e dytë shkencore në Mars.

Roboti është vendosur në një zonë që për një kohë të gjatë shkencëtarët e kanë cilësuar si hapësirën ku mund të zbulohen shenja të jetës mikrobiale në Mars.

Që prej 17 korrikut, roboti ka mbledhur disa gurë dhe pluhur të cilët do të studiohen më gjerësisht nga shkencëtarët amerikanë.

Me gjerësi prej 45 kilometrave, krateri i Jezeros është fundi i deltës që është formuar para 3.5 miliardë vjetësh. Shkencëtarët besojnë se në këtë vend në të kaluarën e largët kishte lum ose liqe.

Shkencëtari Ken Farley thotë se roboti është në kërkim të së kaluarës së Planetit të Kuq.

“Jezero është zgjedhur për mision, sepse përmbush të gjitha qëllimet tona dhe na mundësojmë që të hulumtojmë ambientin e lashtë jetësor. Na mundëson që të kërkojmë prova për jetën e mundshme në Mars në bazë të gurëve të zhvendosur të cilët janë të vjetër 3 miliardë e gjysmë vjet. Dua të them se misioni nuk është duke kërkuar jetë – për gjëra që janë të gjalla sot. Ne jemi në kërkim të së kaluarës të Marsit kur klima e planetit ishte krejt ndryshe nga sot”.

Roboti së fundmi ka hulumtuar gurët e lumit, të cilët kanë forma të ndryshme për shkak të ambientit ujor që ishte dikur. Gjatë misionit të parë, roboti ka hulumtuar kraterin. Ka gjetur gurë magmatikë, të cilët formohen thellë nga magma ose aktiviteti vullkanik në sipërfaqe të planetit.

“Misioni po shkon shumë mirë. Jemi duke e kuptuar historinë gjeologjike të planetit. Jemi befasuar me disa gjetje në historinë e kraterit. Gjithashtu, kemi arritur të mbledhim prova, të cilat kemi ndërmend t’i studiojmë në misionet e ardhshme”.

“Wildcat Ridge”, është emri që shkencëtarët ia kanë lënë shkëmbit me gjerësi prej një metër. Ky shkëmb besohet se është formuar para miliarda vjetësh kur balta dhe rëra e imët u vendosën në liqen me ujin e kripur që avullonte

Më 20 korrik, roboti ka gërvishtur sipërfaqen e këtij shkëmbi, me qëllim që të analizonte atë për mbetje organike dhe kimike.

Me këtë analizë do të mund të zbulohen mineralet e shkëmbit që mund të ofrojnë informacion të rëndësishëm për mjedisin ujor në të cilin janë formuar.

Artikuj të ngjashëm