Një gjykatë në Moskë ka urdhëruar të martën sekuestrimin e shtatë milionë dollarëve të pronës dhe fondeve të Googlet në Rusi, njofton Reuters.
Ky urdhër nga gjykata ka ndodhur pas një padie në lidhje me kufizimet, siç i quan Rusia, që kjo kompani teknologjike amerikane ka vendosur në kanalin YouTube për një kompani televizive.
Siç pretendohet nga Rusia, rasti ka të bëjë me televizionin argëtues GPM të Gazprom Media, i cili ngriti padi duke kërkuar që Google të rivendosë qasje në llogarinë në YouTube.
Gjykata e Arbitrazhit në Moskë ka thënë se ka vendosur rreth një javë më parë që të marrë asetet e Googlet, që kanë një vlerë prej rreth 500 milionë rubla (6.6 milionë dollarë).
Në fillim të marsit, disa ditë pas nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, Google bllokoi kanalet në YouTube të disa mediave të financuara nga shteti rus në Evropë.