Koreja e Jugut ka paralajmëruar se kompanitë teknologjike Google dhe Apple, do të përballen me gjoba të mundshme për abuzim me pozicionin e tyre dominues në tregun e aplikacioneve.
Sipas rregullatorit të telekomunikacionit të këtij vendi, gjobat arrijnë deri në 50.5 milionë dollarë.
Komisioni i Komunikimit i Koresë Jugore në një deklaratë ka njoftuar se dy gjigantët e teknologjisë i kanë detyruar zhvilluesit e aplikacioneve të paguajnë dhe kanë shkaktuar vonesa të padrejta në shqyrtim të aplikacioneve.
"Paranjoftimin e KCC-së do të shqyrtojmë me kujdes dhe do të dorëzojmë përgjigjen tonë. Pasi vendimi përfundimtar me shkrim të ndahet me ne, do të shqyrtojmë me kujdes për të vlerësuar se si të veprojmë tutje”, ka thënë Google.
Apple nga ana tjetër ka lëshuar një deklaratë duke thënë se nuk pajtohet me konkluzionet e KCC-së.
“Ne besojmë se ndryshimet që kemi zbatuar në App Store janë në përputhje me Aktin e Biznesit të Telekomunikacionit”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Në vitin 2021, Koreja e Jugut ka miratuar një ndryshim në Aktin e Biznesit të Telekomunikacionit që ndalon operatorët e dyqaneve të aplikacioneve të detyrojnë zhvilluesit e softuerit të përdorin sistemet e tyre të pagesave.