Gjiganti amerikan i teknologjisë Google ka humbur betejën shumëvjeçare ligjore kundër një gjobe prej 4.1 miliardë eurosh të vendosur nga Bashkimi Evropian për shkelje të rregullave të konkurrencës lidhur me sistemin operativ Android.
Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian, instanca më e lartë gjyqësore e bllokut, hodhi poshtë ankesën e Googlet dhe kompanisë mëmë Alphabet, duke lënë në fuqi vendimin që konstaton se kompania ka abuzuar me pozitën dominuese në tregun e telefonave inteligjentë përmes Androidit, raportoi të enjten Reuters.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKomisioni Evropian e pati gjobitur fillimisht Googlen me 4.34 miliardë euro në vitin 2018, pasi konstatoi se kompania detyronte prodhuesit e telefonave Android të instalonin paraprakisht Google Search, shfletuesin Chrome dhe dyqanin e aplikacioneve Google Play, duke kufizuar përdorimin e sistemeve rivale.
Në vitin 2022, Gjykata e Përgjithshme e BE-së e uli gjobën në 4.1 miliardë euro, vendim që tashmë është konfirmuar përfundimisht.
Në vendimin e saj, gjykata deklaroi se ankesa e Googlet dhe Alphabetit refuzohet, duke konfirmuar sanksionin për abuzim me pozitën dominuese në kuadër të sistemit operativ Android.
Google reagoi duke thënë se vendimi nuk merr parasysh investimet e kompanisë për ta mbajtur Androidin një platformë të hapur, të ndërveprueshme dhe falas.
Kompania shtoi se që nga vendimi fillestar i vitit 2018 ka ndryshuar marrëveshjet e saj për të qenë në përputhje me kërkesat e autoriteteve evropiane dhe se do të vazhdojë të fokusohet në inovacion.
Gjatë dekadës së fundit, Google është përballur me afro 11 miliardë euro gjoba nga Bashkimi Evropian për shkelje të ndryshme të rregullave të konkurrencës.
Pas humbjes së një çështjeje tjetër lidhur me shërbimin e krahasimit të çmimeve, disa kompani kanë ngritur padi për miliarda dollarë në vende të ndryshme evropiane. Vetëm një ditë më parë, një gjykatë suedeze urdhëroi Googlen të paguajë rreth 1.5 miliardë dollarë dëmshpërblim për kompaninë PriceRunner.
Google pritet të përballet edhe me hetime dhe sanksione të tjera në Bashkimin Evropian, për shkak të dyshimeve se favorizon shërbimet e veta në rezultatet e kërkimit dhe për praktika që lidhen me dyqanin e aplikacioneve, çështje që trajtohen në kuadër të Aktit për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act), ligji i BE-së që synon të kufizojë fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike.