Botë

BE-ja gjobit Googlein me gati 3 miliardë euro

Google

Google, është gjobitur me 2.95 miliardë euro nga Bashkimi Evropian për abuzim me pushtetin e saj në sektorin e teknologjisë së reklamave - teknologjia që përcakton se cilat reklama duhet të vendosen në internet dhe ku. 

Komisioni Evropian tha të premten se gjiganti i teknologjisë kishte shkelur ligjet e konkurrencës duke favorizuar produktet e veta për shfaqjen e reklamave në internet, në dëm të rivalëve. Kjo vjen mes rritjes së kontrollit nga rregullatorët në të gjithë botën mbi perandorinë e gjigantit të teknologjisë në kërkimin dhe reklamimin në internet. 

Google i tha BBC-së se vendimi i Komisionit ishte “i gabuar” dhe se do ta apelojë. “Nuk ka asgjë antikonkurruese në ofrimin e shërbimeve për blerësit dhe shitësit e reklamave, dhe ka më shumë alternativa ndaj shërbimeve tona se kurrë më parë”, thuhet në përgjigjen e Google-it. 

Në vendimin e të premtes, Komisioni akuzoi Google për “vetëpreferencë” të teknologjisë së vet mbi të tjerët. Si pjesë e gjetjeve të tij, Komisioni tha se Google kishte rritur qëllimisht shkëmbimin e vet të reklamave, AdX, mbi konkurrentët ku reklamat blihen dhe shiten në kohë reale. 

Si rezultat i kësaj, konkurrentët dhe botuesit u përballën me kosto më të larta dhe të ardhura të reduktuara, sipas vendimit, duke pretenduar se këto mund t'u jenë kaluar konsumatorëve në formën e shërbimeve më të shtrenjta. 

Rregullatori i ka urdhëruar kompanisë t'i japë fund praktikave të tilla, si dhe të paguajë gjobën prej gati 3 miliardë eurosh.