Tech

Google urdhërohet të paguajë 43 milionë dollarë gjobë për përdoruesit e mashtruar në Australi

Britania me rregulla të ashpra për kompanitë teknologjike

Mbikëqyrësi i konkurrencës i Australisë ka njoftuar të premten se Google është urdhëruar nga Gjykata Federale e vendit të paguajë 60 milionë dollarë australianë si gjoba për mashtrimin e përdoruesve në mbledhjen e të dhënave të vendndodhjes së tyre personale, shkroi Reuters.

Gjykata ka njoftuar se Google mashtronte disa klientë rreth të dhënave personale të vendndodhjes të mbledhura përmes pajisjeve të tyre celulare Android midis janarit të vitit 2017 dhe dhjetorit të vitit 2018.

“Google i mashtroi përdoruesit duke besuar se vendosja e "historisë së vendndodhjes" në telefonat e tyre Android ishte e vetmja mënyrë për të mbledhur të dhënat e vendndodhjes, kur një veçori për të monitoruar aktivitetin e uebit dhe aplikacioneve lejoi gjithashtu mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave lokale”, ka thënë Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorëve.

Mbikëqyrësi, i cili vlerëson se mund të jenë prekur 1.3 milionë përdorues të llogarisë së Googlet në Australi, ka nisur procedimet kundër kompanisë dhe njësisë së saj lokale në tetor të vitit 2019.

Sipas rregullatorit, Google mori masa korrigjuese në vitin 2018.

Në një deklaratë të dërguar me email, Google tha se çështja është zgjidhur dhe shtoi se e ka bërë informacionin e vendndodhjes të thjeshtë për t'u menaxhuar dhe të lehtë për t'u kuptuar.

Gjigandi i motorëve të kërkimit është përfshirë në veprime ligjore në Australi gjatë vitit të kaluar, ndërsa qeveria mendoi dhe miratoi një ligj për të detyruar Googlen dhe Metan të paguajnë kompanitë e mediave për përmbajtjen në platformat e tyre.