Në vitin 1997 u publikua versioni unik i DOOM-it për Nintendo 64. Loja deri më tani nuk është ri-lansuar për asnjë platformë tjetër, madje as për konsolat e mëvonshme të Nintendos. Adhuruesit e DOOM nuk kishin mundësi t’i qasen kësaj serie nëse nuk kishin konsolë N64 ose emulator, por kjo mund të ndryshojë, raporton Overclock3D.
PEGI, ose bordi Pan European Game Information Rating, e ka miratuar DOOM 64 për PC dhe PlayStation 4, duke ia dhënë lojës kufizimin 16+ për moshë. Sipas të gjitha gjasave, loja mund të publikohet në të gjitha platformat kryesore në të ardhmen e afërt.
Tani për tani nuk dihet se kur do të publikohet Doom 64 në platformat moderne për gaming, dhe as në çfarë forme, shkruan KOHA Ditore. Mbetet të shihet nëse loja do të jetë rimejk për Unity Engine apo do të jetë portim i origjinalit të vitit 1997.
DOOM 64 konsiderohet nga shumë adhurues të franshizës si një nga lojërat më të mira në seri, edhe pse loja kishte më pak sukses se versionet e tjera të franshizës për konsolë. Në këtë në masë të madhe ndikoi popullariteti i madh i Sony PlayStation gjatë asaj epoke.