Microsofti e ka bërë të mundur që browseri Edge i bazuar në Chromium të testohet në sistemet Windows 7 dhe Windows 8. Njoftimi vjen dy muaj pasi që Chromium Edge u paraqit së pari në Windows 10 dhe një muaj pas paraqitjes në MacOS. Microsofti fillimisht do të ofrojë builde të përditshme Canary, ndërsa së shpejti planifikon edhe mbështetjen për kanalin javor Dev. Instalimi mund të shkarkohet nga faqja Microsoft Edge Insider, raporton “The Verge”.
"Përvoja e përdorimit dhe karakteristikat e Edge në versionet e mëparshme të Windows janë pothuajse të njëjta si tek Windows 10, duke përfshirë mbështetjen e ardhshme për mode-in për Internet Explorer për përdoruesit e biznesit", thekson ekipi i Microsoft Edge. Edhe pse shumica e funksioneve do të jenë të njëjta, dark mode mungon ndërsa Microsofti thekson se nuk ka mbështetje për logimin AAD, shkruan KOHA Ditore.
Microsofti ende po e teston browserin Chromium Edge në Windows 10, MacOS dhe tani edhe në platformat më të vjetra të Windows dhe nuk dihet ende se kur kompania do t’ia ofrojë atë një rrethi më të gjerë të përdoruesve. Edge do të jetë në dispozicion për Window 7 pavarësisht faktit se kompania planifikon ta ndërpresë mbështetjen e këtij versioni të sistemit operativ nga janari i ardhshëm.