Tech

Chromium Edge arrin në Linux?

Microsofti po punon që browserin e vet Edge, të bazuar në Chromium, ta vë në dispozicion të përdoruesve të Linuxit në të ardhmen.

Sean Larkin, menaxher i programit teknik për ekipin Edge, kohët e fundit e lansoi një sondazh në Twitter me një numër pyetjesh në lidhje me zhvillimin e browserit për Linux, duke përfshirë edhe atë se si developerët presin ta instalojnë browserin në pajisjet e tyre, raporton Neowin.

Microsofti është ende në fazat e hershme të zhvillimit, kështu që pritet që do të nevojitet ca kohë derisa Edge të arrijë në Linux dhe të jetë në dispozicion publikisht, shkruan KOHA Ditore. Sido që të jetë, ky është një tregues i qartë se kompania është duke punuar në këtë projekt.

Microsofti e ka treguar më parë interesimin e vet për ta mundësuar Edge për Linux. Aktualisht, browseri Edge është tashmë në dispozicion në shumë platforma. Kanalet Insider janë në dispozicion për Windows 7, 8.1 dhe 10, si dhe macOS, por ende nuk dihet se kur do të vihet në dispozicion publikisht. Ekzistojnë edhe versionet mobile të shfletuesit, për Android dhe iOS.