Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Canalys: Livrimi global i telefonave do të shënojë rënie prej 3.1% gjatë vitit

Parashikimet më të reja analitike të kompanisë Canalys sugjerojnë për një vit të zymtë për shitjet globale të telefonave, një vit që do ta shënojë një rënie prej 3.1 për qind krahasuar me vitin 2018. Ekipi analitik pret që këtë vit do të livrohen 1.35 miliardë pajisje, që është më pak në krahasim me 1.39 miliardë pajisjet e vitit të kaluar, raporton GSMArena.

Raporti i ri gjithashtu e merr parasysh ndalimin e kohëve të fundit të kompanive amerikane që të bashkëpunojnë me Huawei, apo vendosjen e kompanisë kineze në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara. Raporti parashikoi gjithashtu rritje të mundësive të biznesit për brendet e tjera, si Samsung, dhe krejt kjo si rezultat i problemeve të Huawei. Një faktor tjetër i rëndësishëm në rënien e shitjeve globale është mungesa e funksioneve dhe inovacioneve të reja, shkruan KOHA Ditore.

Sa i përket të ardhmes, Canalys parashikon një rritje pozitive për telefonat e mençur gjatë vitit 2020 dhe kthimin në livrimin global prej 1.39 miliardë telefonave me një rritje prej 3.4 për qind. Disa rajone do ta marrin veten më shpejt se të tjerat, varësisht nga cikli i jetëgjatësisë apo ndërrimi i telefonave në ato rajone.