Platformat e përmbajtjes për të rritur Pornhub, Stripchat, XNXX dhe XVideos janë bërë cak hetimi nga Bashkimi Evropian, raportoi të martën Reuters.
Këto faqe do të hetohen për shkelje të ligjit të BE-së për përmbajtjen online, e cila mund të çojë në gjoba deri në 6 për qind të të ardhurave të tyre vjetore globale.
Komisioni Evropian ka thënë se kompanitë nuk kanë zbatuar rregullat që i detyrojnë këto faqe të marrin masa të përshtatshme për të mbrojtur të miturit nga përmbajtja për të rritur.
"Hapësira online duhet të jetë mjedis i sigurt për fëmijët që të mësojnë dhe të lidhen. Prioriteti ynë është të mbrojmë të miturit dhe t'u lejojmë atyre të lundrojnë në mënyrë të sigurt në internet", ka thënë shefja e teknologjisë e BE-së, Henna Virkkunen.
Pornhub është pjesë e grupit qipriot Aylo Freesites Ltd, XNXX është në pronësi të kompanisë çeke NKL Associates, Stripchat është degë e kompanisë qipriote Technius Ltd dhe XVideos është pjesë e ËebGroup Czech Republic.
Ekzekutivi i BE-së gjithashtu ka njoftuar se vendet e bllokut do të koordinojnë veprimet edhe kundër platformave më të vogla pornografike për t’i mbrojtur fëmijët.