Tech

“Apple” nis shpërndarjen e ftesave për ngjarjen ku do të publikohet iPhone 14

Klientët e “Apple” së shpejti do ta kenë në dispozicion gjeneratën e re të iPhone.

“Apple” ka nisur të mërkurën shpërndarjen e ftesave për ngjarjen e 7 shtatorit, në të cilën kompania pritet ta lansojë iPhone 14, raportoi CNN të mërkurën.

Ftesa e kompanisë, e cila gjithmonë shqyrtohet nga afër për kuptimet e fshehura, përmban qiellin e natës në formën e logos së “Apple” me moton: "Shumë larg".

Ngjarja pritet të transmetohet në uebsajtin e “Apple”, derisa do të mbahet në Parkun “Apple”, që ndodhet në selinë e kompanisë në Cupertino të Kalifornisë.

Në vitet e fundit, “Apple” i ka zhvilluar shumicën e ngjarjeve të saj virtualisht për shkak të pandemisë COVID-19.

iPhone 14 thuhet se do të jetë më i madh derisa pritet të vijë edhe me disa përmirësime në kamera.

Apple gjithashtu ka të ngjarë të shpallë një datë lansimi për sistemin e tij të fundit operativ celular, iOS 16.

Në konferencën e saj vjetore të zhvilluesve në qershor, Apple zbuloi një numër ndryshimesh në iOS 16, duke përfshirë aftësinë për t’i ndryshuar ose hequr mesazhet.