Tech

Apple bëhet kompania e parë që arrin vlerën e tregut 3 trilionë dollarë

Apple është bërë kompania e parë me vlerë prej tre trilionë dollarësh në treg të hënën, e ngritur nga besimi i investitorëve se prodhuesi i iPhone do të vazhdojë të lansojë produktet më të shitura.

Në ditën e parë të tregtimit në vitin 2022, aksionet e kompanisë kanë arritur një rekord prej 182.88 dollarë, duke e vendosur vlerën e tregut të Apple pak mbi tre trilionë dollarë, raporton Reuters.

Kompania më e vlefshme në botë, ka arritur momentin historik pasi investitorët vënë bast se konsumatorët do të vazhdojnë të paguajnë më shumë për iPhone, MacBook dhe shërbime të tilla si Apple TV dhe Apple Music.

"Është një arritje fantastike dhe sigurisht e denjë për t'u festuar", tha Jake Dollarhide, shefi ekzekutiv i Longbow Asset Management në Tulsa, Oklahoma. "Ajo thjesht ju tregon se sa larg ka arritur Apple dhe sa dominuese shihet në sytë e shumicës së investitorëve”, shtoi ai.

Apple ndau klubin e vlerës së tregut prej 2 trilionë dollarësh me Microsoft Corp, i cili tani vlen rreth 2.5 trilionë dollarë. Alphabet (GOOGL.O) , Amazon.com Inc dhe Tesla (TSLA.O) kanë vlera tregu mbi 1 trilion dollarë.

Përqafimi i shpejtë i teknologjive të tilla si 5G, realiteti virtual dhe inteligjenca artificiale (AI), kanë ndihmuar këto aksione të bëhen më të dashura në treg, ndërsa investitorët u zhvendosën drejt kompanive të pasura me para dhe larg nga bizneset që kanë qenë më të ndjeshme ndaj rritjes ekonomike.