Facebooku e ka zhvilluar një aplikacion i cili i njeh personat bazuar në tiparet e fytyrës dhe e ridrejton përdoruesin në profilin e tij. Aplikacioni nuk është në dispozicion për publikun, ndërsa kompania pretendon se ai përdoret vetëm nga punonjësit e saj.
Në publik ka rrjedhur informacioni se mjafton vetëm ta ktheni kamerën drejt ndonjë personi dhe menjëherë në ekran shfaqet emri dhe mbiemri i profilit, si dhe fotografia e profilit nga Facebooku.
Sipas “Forbes”, bëhet fjalë për aplikacionin e frikshëm të zhvilluar nga kompania e Mark Zuckerbergut.
Opsioni i tillë gjithashtu mund ta shkatërrojë edhe atë pak privatësi që ka mbetur në internet, ndërkohë që është zhvilluar për t’u aplikuar në personat që e kanë të aktivizuar opsionin e njohjes së fytyrës në rrjetin e Zuckerbergut.
Kjo, sipas portaleve, është edhe një dëshmi se sa e rrezikshme është ndarja e informacioneve personale dhe fotografive në internet dhe rrjetet sociale, sepse nëse një aplikacion si ky përdoret për t’i identifikuar njerëzit, atëherë çdokush mund ta dijë emrin e dikujt dhe t’i ketë të dhënat e tij sapo ta shohë në rrugë.
Facebooku e ka filluar zhvillimin e këtij aplikacioni në vitet 2015 dhe 2016 ndërsa e testoi atë në punonjësit e kompanisë dhe miqtë e tyre. Kompania e mohon fuqinë e këtij aplikacioni.
Edhe
Facebook AI tani mund ta fshehë përdoruesin nga sistemi për njohje të fytyrës
Menaxhmenti i Facebookut pretendon se i testojnë rregullisht teknologjitë e reja në mënyrë interne, dhe se me aplikacionin për njohjen e fytyrës ata mund t’i identifikojnë vetëm punonjësit dhe miqtë e tyre me opsionin e aktivizuar të njohjes së fytyrës, por jo edhe personat e tjerë, shkruan KOHA Ditore.
Nga ana tjetër, është shumë e qartë se Facebooku e ka zhvilluar një algoritëm për njohjen e personave në internet, ndërsa dëshmi e thjeshtë është njohja e miqve tuaj në fotot që i keni në murin tuaj.