Gjiganti kinez i teknologjisë dhe tregtisë elektronike, Alibaba, ka ngritur padi kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara, pasi u përfshi në listën e kompanive që Departamenti amerikan i Mbrojtjes i konsideron të lidhura me ushtrinë kineze.
Padia u dorëzua të martën në gjykatën federale në San Jose të Kalifornisë, pas vendimit të Pentagonit për të zgjeruar më 8 qershor listën e ashtuquajtur të “kompanive ushtarake kineze” në 188 subjekte, raportoi të mërkurën Reuters.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAutoritetet amerikane argumentojnë se ekziston rreziku që ushtria kineze të shfrytëzojë sektorin privat për të avancuar kapacitetet e saj ushtarake dhe teknologjike.
Sipas Pentagonit, Alibaba është një kontribuues në strategjinë kineze të “bashkimit ushtarako-civil”, përmes lidhjeve të saj me Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës.
Megjithatë, Alibaba i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime. Në dokumentet gjyqësore, kompania thekson se vendimi i Pentagonit “nuk ka bazë faktike apo ligjore”.
Sipas saj, Alibaba drejtohet nga një bord i pavarur dhe asnjë prej anëtarëve të tij nuk ka lidhje me ushtrinë.
“Produktet dhe shërbimet tona janë të ndërtuara për tregtinë me pakicë, logjistikën dhe teknologjinë e informacionit për bizneset, jo për armë, mbrojtje apo inteligjencë ushtarake”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Përmes padisë, Alibaba kërkon heqjen e emrit të saj nga lista e Pentagonit. Nga ana tjetër, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Mbrojtjes refuzoi të komentojë çështjen, duke theksuar se agjencia nuk diskuton procese gjyqësore në zhvillim.
Sipas legjislacionit amerikan, Pentagoni nuk mund të lidhë kontrata me kompanitë e listuara duke filluar nga ky muaj, ndërsa nga viti 2027 nuk do të mund të blejë produkte apo shërbime të tyre as përmes palëve të treta.
Në listën e zgjeruar janë përfshirë edhe kompani të tjera të njohura kineze, si motori i kërkimit Baidu, prodhuesit e automjeteve elektrike BYD dhe NIO, si dhe kompania bioteknologjike WuXi AppTec. Kjo e fundit ka ngritur gjithashtu një padi të ngjashme kundër autoriteteve amerikane më 11 qershor.