Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka vlerësuar se Kina po u ofron fëmijëve evropianë një version të thjeshtë dhe argëtues të TikTokut, ndërsa versioni i tij vendas është shumë më edukativ dhe i dobishëm për të rinjtë.
Rreth një javë më parë, Macroni kritikoi pabarazitë midis ofertave kineze dhe globale të aplikacionit.
"Versioni i tyre i TikTokut, për shkak se është një kompani kineze, është i kufizuar në një numër të caktuar orësh në ditë, dhe përmbajtja që u shfaqet fëmijëve është tërësisht edukative", është shprehur ai, raportoi të mërkurën “Euronews”.
Ai vazhdoi duke thënë se strategjia e Kinës është që “të eksportojë atë që i shurdhon mendjet e të rinjve, duke e mbajtur për popullsinë e vet versionin që i bën të rinjtë më inteligjentë”.
Po, ekziston një version i ndryshëm i TikTokut për tregun kinez
Versioni kinez për të cilin ka folur Macroni njihet si Douyin dhe është zhvilluar nga kompania kineze e softuerëve ByteDance, e cila zotëron edhe TikTokun.
Në përgjithësi, Douyin dhe TikTok ndajnë të njëjtën logo, strukturë dhe arkitekturë digjitale, por ndryshimi kryesor midis dy platformave qëndron te audienca e tyre.
Douyin u lansua në vitin 2016 posaçërisht për tregun kinez, ndërsa TikToku u përhap një vit më vonë për përdoruesit ndërkombëtarë, duke ofruar lloje të ndryshme përmbajtjeje për audiencat përkatëse.
Kina zbaton censurë të rreptë në të gjitha platformat e saj të mediave sociale, duke ndaluar dhe filtruar çdo përmbajtje që konsiderohet e pafavorshme për qeverinë ose që mund të shkaktojë paqëndrueshmëri politike.
Kjo është e dukshme në termat e politikave të vetë Douyin: ato përfshijnë rregulla që ndalojnë përmbajtjen "që shtrembëron dhe denigron traditat kulturore të kombit, si dhe çdo material që dëmton ndjenjat kombëtare".
Kësaj rregulloreje i shtohet edhe Ligji i Kinës për Mbrojtjen e të Miturve, i prezantuar në vitin 2021, i cili i detyron platformat të zbatojnë mjete që kufizojnë përdorimin për fëmijët.
Si rezultat, ByteDance njoftoi një limit kohor para ekranit prej 40 minutash në ditë për përdoruesit nën moshën 14 vjeç, të cilët gjithashtu nuk lejohen të përdorin aplikacionin nga ora 22:00 deri në orën 06:00.
A tregon Douyin përmbajtje 'më inteligjente' sesa TikToku?
Për të verifikuar nëse pretendimet e Macronit në lidhje me përmbajtjen e Douyinit për fëmijë janë të sakta, The Cube, ekipi i verifikimit të fakteve i Euronewsit, përdori një VPN për të shkarkuar aplikacionin dhe për të krijuar një profil përdoruesi 13-vjeçar.
Pasi shfletoi për disa minuta, platforma dukej se ofronte kryesisht përmbajtje edukative. Ajo paraqiste video që demonstronin eksperimente të thjeshta, të tilla si një klip që tregonte se çfarë ndodh kur zhyt një vezë në uthull, si dhe mësime për anglisht, muzikë dhe gatim.
Modaliteti për fëmijë i aplikacionit përfshin cilësime të avancuara që u lejojnë prindërve të specifikojnë llojet e përmbajtjes që preferojnë të shohë fëmija i tyre. Këto opsione ndihmojnë algoritmin të përshtatë burimin e rekomanduar për përdoruesit nën moshën 14 vjeç.
The Cube më pas kreu të njëjtin test në TikTok. Atje, versioni për nën 14 vjeç dukej se ofronte përmbajtje që ishte më shumë edukative dhe rekreative.
Aplikacioni gjithashtu përmban një modalitet "TikTok për Përdoruesit më të Rinj", i cili përfshin cilësime më të rrepta privatësie, kohë të kufizuar para ekranit dhe kufizime në komentim, mesazhe për përdoruesit nën 13 vjeç.
"Megjithatë, ata janë në gjendje të përjetojnë atë që është TikToku në thelbin e tij - shfaqjen e kreativitetit - ndërsa shijojnë përmbajtje të kuruar dhe eksperimentojnë me veçoritë unike, të çuditshme dhe shprehëse të TikTokut", thotë aplikacioni në faqen e tij të internetit.
Vlen të përmendet se, që nga viti 2024, TikToku ka ofruar një "STEM feed" - një feed kushtuar shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës dhe i projektuar për adoleshentë të moshës 13 vjeç e lart.
Për më tepër, kur bëhet fjalë për "modalitetin për të rritur", si Douyin ashtu edhe TikToku kanë përmbajtje të ngjashme, e cila mund të përfshijë çdo gjë. Megjithatë, Douyin ende i përmbahet rregullave të përgjithshme të censurës të vendosura nga qeveria e presidentit Xi Jinping.