Tech

Derisa shumica ende “ëndërron” për rrjetin 5G, kinezët kanë filluar zhvillimin e 6G

Descriptive Text

Derisa është akoma e pasigurt se kur do të jetë në i dispozicion në të gjithë botën rrjeti 5G, Pekini tashmë i ka paralajmëruar planet për ta zhvilluar teknologjinë 6G me shpresën për ta forcuar dominimin e vet në lidhjet pa tel në të gjithë botën.

Ministria kineze e Shkencës dhe Teknologjisë i ka krijuar dy ekipe për ta zhvilluar rrjetin 6G, shkruan KOHA Ditore. Grupi i parë i bashkon disa agjenci qeveritare, ndërsa i dyti i mbledh më shumë se 30 ekspertë nga universitete, qendra kërkimore dhe korporata të ndryshme.

Duke folur në takimin e parë për zhvillimin e rrjetit 6G, zëvendëskryeministri Vang Xi vuri në dukje se njohuritë aktuale globale mbeten në "fazën hulumtuese" dhe se rruga e saktë për në rrjetin 6G është ende e paqartë. Megjithatë, Pekini është i vendosur ta fitojë garën për dominim në teknologjinë pa tel dhe planifikon ta prezantojë një plan të detajuar për zhvillimin e rrjetit 6G.

Kompanitë kineze kanë qenë në një konkurrencë intensive me rivalët e tyre në SHBA dhe Korenë e Jugut gjatë zhvillimit të rrjetit 5G, i cili do të mundësojë internet më të shpejtë dhe telefona të mençur më të avancuar. Javën e kaluar madje tre operatorë të mbështetur nga shteti filluan t'u ofrojnë përdoruesve kinezë shërbime "super të shpejta" 5G.

Drejtori i Huawei, një nga liderët në revolucionin 5G, Ren Zhengfei, konfirmoi që kompania ka kohë që po punon në zhvillimin e rrjetit 6G, por që teknologjia do të arrijë vetëm pas dhjetë vjetësh.

Ndërkohë Qeveria amerikane po e akuzon Pekinin për përdorimin e kompanive si “Huawei” për spiunazh dhe po bën presion ndaj partnerëve evropianë që t’ua ndalojnë kompanive kineze rrjetet e tyre nacionale 5G.