Kina ka filluar të hapë atë që e quan rrjeti më i avancuar i internetit në botë, i cili pretendohet se do të jetë disa herë më i shpejtë se rrjeti ekzistues i internetit.
Siç njofton gjiganti kinez i teknologjisë Huawei, bëhet fjalë për një rrjet me shpejtësi 1.2 terabit (1200 gigabit) në sekondë, që mjafton për të transferuar të dhënat e 150 filmave në një sekondë.
Interneti me këtë shpejtësi nuk do të jetë i disponueshëm për përdorim të zakonshëm momentalisht. Zhvillimi i internetit me këtë shpejtësi do të jetë në prioritet për kompanitë dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare, shkruan CNN.
Ky lloj rrjeti interneti do të krijohet mbi pothuajse 3000 kilometra kabllo optike midis Pekinit dhe jugut të vendit. Nuk janë bërë të ditura detaje mbi planet për zgjerimin e rrjetit në pjesën tjetër të vendit. Testimi i saj filloi në verën e këtij viti.
Lajmi për rrjetin super të shpejtë të internetit të Kinës u bë i ditur pas një takimi mes presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit kinez Xi Jinping në San Francisko. Nuk është hera e parë që kinezët prezantojnë teknologji të re kur takohen me zyrtarë amerikanë.
Gjatë vizitës së diplomatëve amerikanë në Kinë në fund të verës, Huawei prezantoi smartfonin e shumëpritur Mate 60 Pro, i cili ka çip revolucionar 5G të prodhimit kinez. Qeveria amerikane më vonë ka thënë se po hetonte se si Huawei ka teknologjinë për të prodhuar një çip të tillë, pas përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të kufizuar qasjen e Kinës në teknologjinë e huaj të çipave.