Ylli amerikan i skijimit, Lindsey Vonn, ka thënë se ka këputur ligamentin kryqëzor anterior (ACL) në këmbën e majtë, por se është ende me shumë shpresë se mund të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore që nisin pas pak ditësh.
41-vjeçarja u bart me helikopter për në një spital në Zvicër të premten, pasi u rrëzua në garën e fundit të Kupës së Botës në skijim alpin, para Lojërave Olimpike Dimërore.
Ish-kampionia olimpike tha se gjuri i saj ndihet “i qëndrueshëm, i fortë dhe nuk është ënjtur”. Ajo ndihet e sigurt se do të marr pjesë në garën e lëshimit në Cortina, të dielën.
Lojërat Olimpike Dimërore mbahen prej 6 deri më 22 shkurt në Milano dhe Cortina të Italisë.
“Kjo padyshim që nuk është ajo që shpresoja. Kam punuar shumë për të ardhur në këto Lojëra në një pozicion shumë më ndryshe”, ka thënë Vonn në një konferencë për media, të martën.
“E di se cilat ishin shanset e mia para aksidentit dhe e di që shanset e mia nuk janë të njëjta tani. Por e di që ende ka një shans. Për sa kohë ka një shans, unë do të përpiqem. Unë jam këtu”, ka shtuar skitarja e njohur amerikane.
Katër herë kampionia e botës ishte tërhequr nga sporti në vitin 2019. Por bëri rikthim mahnitës në dhjetor 2024, pas zëvendësimit të pjesshëm të gjurit të djathtë.
Ajo arriti në Cortina si e para në ranglistën botërore në disiplinën e lëshimit. Ajo i fitoi dy gara të Kupës së Botës këtë edicion, dhe kishte tri vende të tjera një podium. Dhe llogaritej prej favoriteve për medalje të artë olimpike.
Lëndimi hedh dyshime nëse Vonn do të jetë në gjendje të garojë. Amerikania pranoi se vetëm arritja në start të dielën do të ishte “një rikthim mjaft i mirë, nëse mund ta bëj”.
“Nuk është diçka e panjohur për mua. E kam bërë më parë. Do të doja të mos isha në këtë pozicion, por jam dhe do të bëj çmos”, tha Lindsey Vonn.
“Nuk do të kthehem në shtëpi duke u penduar që nuk u përpoqa. Do të bëj gjithçka që kam në dorë për të qenë në start të garës”.
Vonn tha se ka skijuar në Cortina të martën dhe se gjuri i saj ndihej mirë e pa dhimbje. Por shtoi se nuk do ta dijë me siguri se si ndihet derisa të skijojë në shtegun e disiplinës së lëshimit.
“E di se si është ndier gjuri im me lëndimet e mëparshme dhe si është ndier në të gjitha testet fizike. Dhe mund të them se ndihem shumë më mirë tani sesa në të kaluarën”.
Vonn shtoi se do t’i marr gjërat “ditë pas dite” dhe nuk e di nëse do të jetë në gjendje të garojë në garat ekipore dhe Super-G, që zhvillohen më 10 e 12 shkurt.
Vonn po lëshohej në garën e Kupës së Botës në Crans-Montana të Zvicrës të premten, kur humbi kontrollin pas një kërcimi. Ajo thotë se pos që ka këputur ligamentin e kryqëzuar anterior (ACL), ka edhe mavijosje dhe dëmtime të meniskut.
Ngjarja e së premtes u anulua më pas për shkak të kushteve të këqija të motit. Vonn ishte skitarja e tretë që u rrëzua.
Karriera e shkëlqyer e Vonnit, që përfshinë një medalje të artë olimpike dhe dy të bronzta, është shoqëruar me lëndime. Por ajo nuk është dekurajuar nga fakti se gara në Cortina është bërë përnjëherë dukshëm më sfiduese.
“Jam një javë larg për diçka që kurrë nuk e kam menduar se ishte e mundur. Kjo është qershia mbi tortë. Kurrë nuk e prisja të isha këtu. Më dukej sikur kjo ishte një mundësi e mrekullueshme për ta mbyllur karrierën në mënyrën që doja. Nuk ka shkuar pikërisht ashtu siç e doja, por nuk dua të pendohem për ndonjë gjë. Do ta bëj, fund i tregimit. Nuk do ta lejoj veten ta ndjek atë rrugë. Nuk do të qaj, kokën e mbaj lart. Qëndroj drejt dhe do të bëj më të mirën time. Cili do të jetë rezultati, do të jetë ai që është”, ka theksuar Vonn.