Sporte të tjera

Sukses i madh i skitarit me prejardhje shqiptare, vendi i tretë në Kupën e Botës

Alban Elezi Cannaferina

Alban Elezi Cannaferina ka arritur sukses shumë të madh të martën mbrëma. Ai është renditur i treti në garën e skijimit alpin në Schladming të Austrisë. Garën e sllallomit të madh e fitoi zvicerani Loic Meillard, ndërsa braziliani Lucas Pinheiro Braathen u rendit i dyti.

Kupa e Botës është seria e garave kryesore të skijimit alpin. Në të paraqiten vetëm skitarët më të mirë në botë. Dhe tani medalje në Kupë të Botës ka edhe skitari me prejardhje shqiptare që përfaqëson Francën.

Alban Elezi Cannaferina është djali i Adnan Elezit, ish-mundësit të njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Nëna e Albanit është franceze, profesoreshë e Edukatës Fizike dhe instruktore skijimi. Albani mban mbiemrat e të dy prindërve.

Është ende 22-vjeçar dhe prej skitarëve më perspektiv në botë.

Për Elezin ishte përfundimi i parë në Top-10 në garat e Kupës së Botës në skijim alpin.

“Është e mahnitshme për mua, përvojë e jashtëzakonshme. Podiumi im i parë në Schladming. Isha këtu me shumë përkrahës. Shpresoj se do të jem në Lojëra Olimpike”, ka thënë Elezi Cannaferina pas garës.

I lumtur me vendin e tretë në Austri është edhe Adnan Elezi. Për shkak të obligimeve në vendin e punës ai nuk ishte në garë. Për KOHËN ka thënë se medalja në Kupën e Botës ishte vetëm çështje kohe.

“Medalja në Kupën e Botës ka mundur të fitohet edhe para dy vjetësh. Prej moshës 10-vjeçare Albani ka shfaqur nivel shumë të lartë. Njërin lëshim vazhdimisht e ka pasur shumë të mirë dhe e kemi ditur që kur lidhen dy lëshime të mira do të vijë medalja. Në stërvitje vazhdimisht është shumë i shpejtë, ka teknikë shumë të mirë. Sa me më shumë akull të jetë shtegu, sa më mirë të jetë i përgatitur ai, Albani është më i shpejtë. Për shkak të klimës në vitet e fundit jo gjithnjë shtigjet janë përgatitur si duhet. Por Albani tashmë po është i shpejtë në secilin lloj të borës”, ka thënë Adnan Elezi të mërkurën në mëngjes. Ai është i bindur se sukseset e skitarit do të jenë edhe më të mëdha, nëse ka shëndetin dhe fatin. Ka treguar se dy vjet më parë e ka munduar një lëndim dhe ia ka pamundësuar të përgatitet si duhet.

Ka mbetur të caktohet vetëm edhe një vend në ekipin olimpik të Francës për Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”. Gjasat janë të mira që të përzgjidhet Albani.

“E meriton ai, e meritojnë të tjerë. Por ai e meriton më së shumti. Është i vetmi në ekip që mund të garojë në tri disiplina, ndoshta katër”, tregon Adnan Elezi.

Ai thotë se Albani ishte i mirë në të gjitha sportet, ndërsa si fëmijë ka ushtruar edhe xhudo, futboll e ragbi. Albani Elezi kishte medalje evropiane te të rinjtë dhe tani po dëshmon nivelin te seniorët.

Adnan Elezi është prej mundësve të dalluar shqiptarë. Kishte medalje në Lojërat Mesdhetare, Ballkanike mbi 20 herë ishte kampion i Jugosllavisë. Në Francë është vendosur në vitin 1992. Edhe nëna e Albanit është ish-mundëse.

Medalje në garat e Kupës së Botës në skijim alpin po fiton edhe Lara Colturi, italiania që garon për Shqipërinë.