Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Braathen ia siguron Amerikës së Jugut medaljen e parë në Lojërat Dimërore

Lucas Pinheiro Braathen

Foto: Associated Press

Skitari brazilian, Lucas Pinheiro Braathen, ka bërë lëshim të jashtëzakonshëm në disiplinën e sllallomit të madh në skijim alpin në Bormio të Italisë.

Të shtunën ai shkëlqeu dhe ia siguroi Amerikës së Jugut medaljen e parë në Lojërat Olimpike Dimërore.

Nga dy lëshimet, Pinheiro Braathen pati kohën prej 2 minuta e 25 sekonda. Me 58 të qindtat më ngadalë, garën i dyti e përfundoi Marco Odermatt i Zvicrës, kurse me 1 minutë e 17 sekonda vonesë, i treti ishte zvicerani tjetër Loic Meillard.

Pritet të ketë festë të madhe në Brazil, pasi Pinheiro Braathen e bëri të mundur që shtetit të tij t’ia sigurojë medaljen e parë të artë në skijim alpin.

Pinheiro Braathen e ka nënën braziliane, ndërsa babanë norvegjez. Nisi me gara në skijim për Norvegjinë deri në vitin 2023, ndërsa nga viti 2024 e përfaqëson Brazilin.

Edhe Shqipëria mbetet pa medalje në Lojërat Olimpike Dimërore Sporte të tjera Shqipëria mbetet pa medalje në Lojërat Olimpike Dimërore

“Dua që këtë ta ndaj me të gjithë që na shohin në Brazil, që më kanë përcjellë e më kanë përkrahur”, ka deklaruar ai pas garës për “TV Globo”. “Kjo mund të jetë inspirim për gjeneratat e ardhshme, pasi asgjë nuk është e pamundur. Nuk ka rëndësi se prej nga vjen. E rëndësishme është çfarë ke brenda. Çfarë bën zemra. U kam sjellë brazilianëve forcë me flamurin në podium. Kjo është për Brazilin”, ka deklaruar ai.

Medaljes së artë iu gëzua edhe presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva.

“Ky rezultat i jashtëzakonshëm tregon se sporti brazilian nuk ka limite. Është reflektim i talentit, dedikimit dhe punës së vazhdueshme që e fuqizon sportin në secilin dimension”, ka shkruar presidenti Lula ndër të tjera.

Tjetër medalje në “Milano Cortina 2026” ishte për 28-vjeçarin Odermatt. Ai e fitoi të argjendtën edhe në ngjarjen ekipore, ku ishte me partnerin Meillard. Odermatt e ka të fituar të bronztën edhe në disiplinën Super-G.

Nga 81 garues sa morën pjesë të shtunën në disiplinën e sllallomit të madh, vetëm 69 e përfunduan garën.

Edhe Braathen shkruan historinë e skitarisë braziliane Sporte të tjera Braathen shkruan historinë e skitarisë braziliane

Denni Xhepa që e përfaqëson Shqipërinë, përfundoi i 34-ti. Ai pas dy lëshimeve kishte kohë prej 2 minuta, 35 sekonda e 91 të qindtat dhe ishte prapa fituesit me 10 sekonda e 91 të qindtat vonesë.

Shqiptari tjetër që përfaqëson Francën, Alban Elezi Cannaferina, nuk e përfundoi garën. Lëshimin e parë e pati me kohën 1 minutë, 18 sekonda e 79 të qindtat, ndërsa nuk e përfundoi garën në lëshimin e dytë.