Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Samadrexha kthen titullin pas 19 vjetësh

Samadrexha

Hendbollistet e skuadrës së Samadrexhës e kanë kthyer titullin në Vushtrri pas plot 19 vjetësh. 
Samadrexha, me rikthim të jashtëzakonshëm në finalen e plejofit, fitoi të enjten mbrëma 25:23 në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë, ndaj Shqiponjës së Gjakovës. Pati shumë shikues të pranishëm.  

Shqiponja i fitoi dy ndeshjet e para dhe krijoi epërsi 2:0 në serinë finale, por Samadrexha u kthye me tri fitore tjera për ta fituar titullin që i mungonte për afro dy dekada. Samadrexha është edhe fituese e Kupës së Kosovës për herë të parë në histori. Në finale të Kupës, Samadrexha e mposhti Istogun.  

Numri i shikuesve në palestër ishte i madh, por ndeshja u ndërpre disa herë. 

Ballafaqimi nisi në orën 20:00, ndërsa përfundoi afër orës 23:00. 

Në fillim të ndeshjes u hodhën mjete tymosëse në palestër. Ndeshja nuk nisi deri në largim të tërësishëm të tymit në palestër. Më vonë pati edhe telashe me semafor. Dhe kjo bëri që ndeshja e pestë finale e plejofit të zgjaste afro tri orë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 12:8 në të mirë të skuadrës vendëse.  

Për Samadrexhën ishte titulli i parë që prej edicionit 2006/07. Në atë kohë, kjo skuadër njihej me emrin Vicianet. Vicianet e kishin fituar titullin edhe në edicionin 2005/06. Samadrexha ishte kampione vjeshtore në edicionin 1997/98, në kampionatin që u ndërpre për shkak të luftës. 

Edhe Hendboll, Samadrexha barazon rezultatin në finale të plejofit Sporte të tjera Hendboll, Samadrexha barazon rezultatin në finale të plejofit

Tituj, Samadrexha kishte fituar edhe në edicionet 1989/90 dhe 1987/88. 

Shqiponja ishte në prag të titullit të dytë në histori të klubit. Por mbeti vetëm me titullin e fituar në edicionin 2017/18. 

Më e dalluara në fitoren e së enjtes ishte Jennifer Toledo Abreu me shtatë gola. Nga pesë gola i kishin Tina Hetemi dhe Olivera De Paula. Te Shqiponja u dallua Alma Nivokazi me shtatë gola. Helen Da Silva Souza i kishte pesë, aq sa kishte edhe Nathal Silva Fontana.