Sporte të tjera

Portugezi Nader shokon të gjithë, fiton garën në 1500 metra në Botëror

Isaac Nader

Foto: Associated Press

Atleti portugez, Isaac Nader, shokoi të gjithë duke triumfuar në garën 1500 metra vrapim në Kampionatin Botëror të atletikës në Tokio. Ai fitoi të artën pas një gare shumë të fortë me britanikun Jake Wightman. 

Kampioni në fuqi dhe favoriti, Josh Kerr, pësoi lëndim të mërkurën dhe nuk e pati shkëlqimin e mëparshëm. 

Wightman, i cili ka vuajtur shumë nga lëndimet qëkur e fitoi titullin në vitin 2022, ishte afër fitores pasi kryesonte. Por në metrat e fundit ishte Nader ai i cili doli para dhe fitoi me vetëm dy të qindtat e sekondës dallim. 

Koha e Naderit ishte 3 minuta, 34 sekonda e 10 të qindtat. Wightman e fitoi të argjendtën me kohën 3 minuta, 34 sekonda e 12 të qindtat, ndërsa keniani 21-vjeçar, Reynold Cheruiyot, e siguroi të bronztën para Timothy Cheruiyot. 

Pasi dy kampionët olimpikë, Jakob Ingebrigtsen dhe Cole Hocker, munguan të mërkurën, gara ishte e hapur ndërsa Kerr ishte favoriti më i madh. 

Por, ishte Nader i cili nuk u ndal deri në fund, për natën më të madhe të jetës së tij. Ai u shpall kampion bote pas të bronztës në Kampionatin Evropian në palestër. Nader nga vendi i pestë doli i pari në 100 metrat e fundit. 

“Ishin 14 atletë në finale dhe e kam menduar se ishte e mundur të fitoja. I kam thënë vetes para garës se ose do të përfundoja në vendin e 14-të, ose do të përfundoja në vendin e parë. Është fantastike”, tha ai. “Për mua është gjë shumë e bukur. Jam shumë krenar”. 

Favoriti para garës, Niels Laros i Holandës, përfundoi i pesti. 20-vjeçari Laros vazhdon ta mbajë kohën më të shpejtë në botë në këtë vit. 

Naderit iu kërkua që në gjuhën portugeze të shpjegonte ndjenjat se si një atlet që askush nuk ka pritur ta fitonte garën, të triumfojë. Ai u përgjigj: “Inacreditavel!”, që përkthehet “e pabesueshme”. 

Wightman, i cili e fitoi titullin në Eugene në vitin 2022, tha se e argjendta është me shkëlqim ari për të. 

“Kjo medalje e argjendtë është e artë për mua dhe jam shumë i çliruar. Ende kisha diçka. E dija se do të vrapoja sot dhe të provoja të fitoja, dhe çfarëdo të ndodhte sot do të isha i lumtur. Kur shkon aq afër përfundimit të garës, mendon se ‘çfarë nëse do të bëja pak më shumë?’. Por, kam lënë çdo gjë aty. Kam bërë kaq shumë ndryshime në jetën time këtë vit dhe dua ta falënderoj ekipin e trajnerëve dhe babanë tim. Jam shumë i lumtur që e gjithë kjo ia ka vlejtur”. 

Kerr, i cili për pak humbi nga Cole Hocker në Lojërat Olimpike të Parisit vitin e kaluar, pati lëndim në mesin e garës dhe mbeti i fundit me një minutë e gjysmë vonesë.