Sporte të tjera

Kosova me gjasa të vogla për kualifikim

hendbooll

Humbja 25:23 nga Ishujt Faroe, të enjten mbrëma në Prishtinë, ka zvogëluar shumë gjasat e përfaqësueses së Kosovës në hendboll për kualifikim në “Euro 2026”. 

Një xhiro para fundit të kualifikimeve, Kosova është ende në garë. Por tani me gjasa fare të vogla. Me fitore, Kosova thuajse do ta siguronte kualifikimin. Por lojtarët e Ishujve Faroe e mbyllën ndeshjen më mirë dhe siguruan kualifikimin në Evropian për herë të dytë rresht. Është ky një sukses i jashtëzakonshëm për vendin me vetëm 55 mijë banorë, por që hendbollin e ka shumë të zhvilluar. Dy lojtarët që luajnë në Bundesligë, Hakun West Av Teigum dhe Elias Ellefsen a Skipagotu, e bën dallimin në minutat e fundit, pas një ndeshje të fortë e të barabartë.

Nga Grupi 6 i kualifikimeve, Evropianin e kanë siguruar Ishujt Faroe me 7 pikë dhe Holanda me 6 pikë. Ukraina është e treta me katër pikë e Kosova e katërta me tri pikë.

Të dielën nga ora 18:00 janë ndeshjet e fundit, Holanda – Kosova dhe Ishujt Faroe – Ukraina. Për kualifikim, Kosova duhet ta mposhtë Holandën në udhëtim e në të njëjtën kohë Ishujt Faroe të fitojnë ndaj Ukrainës.

Me këtë skenar, Kosova përfundon e treta në grup dhe kualifikohet. Dy përfaqësueset më të mira nga të gjitha tetë grupet, kualifikohen në Evropian. Kualifikohen edhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë nga tetë grupet sa janë gjithsej.

Kosova ka barazuar me Holandën, 33:33, më 10 nëntor në Prishtinë. Por në këtë cikël eliminator, Kosova ka luajtur dukshëm më zbehtë në udhëtim se në ndeshjet në shtëpi. Për këtë arsye i duhet të bëjë një paraqitje të “jashtëzakonshme” për ta mposhtur Holandën të dielën në shtëpinë e saj. Të enjten holandezët fituan bindshëm, 35:27, ndaj Ukrainës në Sllovaki. Holanda është favorite e grupit.
“Është një ndeshje e vështirë. Duhet të mobilizojmë forcat dhe mos të shkojmë me flamur të bardhë. Duhet të tentojmë, ndoshta është situata që disa lojtarë të rinj t’i aktivizojmë në këtë garë, që të përfitojmë prej përvojës, nëse lojtarët që kanë luajtur më shumë janë të lodhur”, ka thënë për ndeshjen me Holandën, selektori i Kosovës, Bujar Qerimi.

Përfaqësuesja e hendbollit, njëjtë si në sportet e tjera ekipore, ende nuk është kualifikuar për ndonjë ngjarje të madhe. Ndeshja me Ishujt Faroe vlerësohej rast i artë. 

“E kemi të dielën edhe një ndeshje dhe duhet të fokusohemi në atë ndeshje. Besoj se Holanda tani nuk luan me shtatëshen e parë. Duhet të shpresojmë të bëjmë befasi, sikur në Rumani që kemi bërë. Duhet të kemi shpresa, nuk duhet të dorëzohemi. Besoj se do të kthehemi edhe më të fortë se sot”, ka thënë kapiteni Valon Dedaj.

Portieri Haris Berisha i bëri plot 14 pritje ndaj Ishujve Faroe, por që në fund nuk mjaftuan. Ai thotë se Kosova në ndeshjen ndaj Holandës nuk ka çka të humbë.

“Mund të fitojmë dhe nuk shkojmë të dorëzuar. Mundësitë janë dhe duhet të luftojmë deri në momentin e fundit”, ka thënë Berisha.

Në ndeshjet e fundit kualifikuese, që janë të dielën, do të përcaktohen tetë përfaqësueset e fundit që në janar të vitit të ardhshëm paraqiten në Kampionatin Evropian në Danimarkë, Norvegji e Suedi.