Sporte të tjera

Arat: Lojërat Mesdhetare, moment historik për sportin e Kosovës

Hasan Arat (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Personaliteti i njohur i sportit ndërkombëtar, Hasan Arat, ka vlerësuar lart potencialin e Kosovës në sport dhe rëndësinë strategjike që kanë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” për vendin. Pas dekorimit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Arat ka theksuar se ky organizim përfaqëson jo vetëm një ngjarje madhore sportive, por edhe një moment të rëndësishëm për diplomacinë sportive dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Duke folur për vlerën simbolike dhe praktike të Lojërave Mesdhetare, Arat ka nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar se është një vend me potencial të jashtëzakonshëm sportiv. Sipas tij, organizimi i këtij eventi do të lërë një trashëgimi afatgjatë, që do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e sportit dhe do të shërbejë si frymëzim për brezat e rinj, duke e forcuar më tej rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Është një nder i madh për mua të marr këtë medalje nga presidentja e Republikës së Kosovës. Dhe u uroj gjithë të mirat popullit të Kosovës që të kenë lojëra të shkëlqyera të Mesdheut 2030 në Prishtinë. Kosova është një vend i madh në sport dhe këto Lojëra Mesdhetare do të sjellin një trashëgimi të madhe për vendin dhe do të frymëzojnë brezat e rinj që t'i ndjekin ato. Është një ditë e madhe për diplomacinë sportive që lidh vendet, sjell paqe, solidaritet dhe frymëzon brezat e rinj. Kosova ka një potencial të madh dhe kjo e vërtetoi – Lojërat Mesdhetare 2030 në Prishtinë vërtetojnë se do të jenë lojëra fantastike dhe një njohje e madhe për shtetin e Kosovës”, theksoi Arat.

Arat është ndalur te dashuria e popullit të Kosovës për sportin, duke e cilësuar atë si një element kyç që lidh shoqëritë dhe shtetet mes vete. Ai ka theksuar se sporti shërben si një gjuhë universale e dialogut dhe solidaritetit, e cila historikisht ka ndihmuar edhe në njohjen dhe afirmimin e Kosovës në arenën botërore. Sipas tij, kjo energji dhe pasion i qytetarëve për sportin përbën një bazë të fortë për suksesin e Lojërave Mesdhetare dhe për ndikimin pozitiv që ato do të kenë te të rinjtë.

“E dini, populli i Kosovës e do shumë sportin dhe sporti është një dialog ndërkombëtar që lidh vendet dhe njerëzit me njëri-tjetrin. Ju e keni parë kur morët medaljen e artë në vitin 2016, njohja e Kosovës ishte një nga më të mirat në atë kohë. Pra, ne patëm të njëjtën përvojë për Turqinë dhe sporti është gjithmonë një lidhje e madhe diplomatike dhe solidariteti i mbarë botës. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme për brezat që do të vijnë. Kjo trashëgimi do të sjellë një frymëzim fantastik te të rinjtë. Për të rinjtë, kjo është shumë e rëndësishme”, shtoi Arat.

Duke folur për aspektin organizativ, Arat ka vënë theksin te përgjegjësia e madhe që sjell një ngjarje e këtij niveli. Ai ka theksuar se Lojërat Mesdhetare janë ndër organizimet më të mëdha sportive dhe kërkojnë përgatitje të kujdesshme dhe profesionale. Sipas tij, mënyra se si do të organizohen këto lojëra do të përcaktojë trashëgiminë që do të mbetet për dekada, ndaj kujdesi, planifikimi dhe standardet e larta janë thelbësore për suksesin e tyre.

“Po, mundet, mundet. Sepse ky është tashmë një organizim shumë i madh. Lojërat Mesdhetare janë një organizim shumë i madh, një nga organizimet më të mëdha. Prandaj duhet të jeni shumë, shumë të kujdesshëm për organizimin e lojërave të mira, sepse ajo trashëgimi do të vazhdojë përgjithmonë”, tha në fund Arat.

Arat është biznesmen dhe adminsitrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakow 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi (2023-2024), për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash./KSP