Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zvicra kërkon të dominojë dhe të fitojë ndaj Rumanisë

(KD) – Rumania e Zvicra luajnë ndeshje vendimtare për vendin e parë në Grupin I të kualifikimeve për “Euro 2024”. Të dy përfaqësueset kanë siguruar kualifikimin në Evropian, ndërsa tani kërkojnë vendin e parë në grup. Zvicrës i duhet fitorja, ndërsa Rumanisë i mjafton barazimi. Ndeshja Rumani – Zvicër zhvillohet të martën prej orës 20:45 në “Arena Nationala” në Bukuresht. Stadiumi pritet të jetë i mbushur me 50 mijë shikues. Një xhiro para fundit Rumania udhëheq në grup me 19 pikë. Zvicra është e dyta me 17 pikë.

Ndonëse ka siguruar kualifikimin, Zvicra ka pasur telashe të shumta në këtë cikël eliminator. Ka lëshuar shumë pikë, sidomos në minutat e fundit të ndeshjes. Kjo ka bërë që presioni te përzgjedhësi Murat Yakin të rritet.

Prej qershorit e tutje Zvicra ka fitore vetëm ndaj Andorrës, autsajderes së grupit. Ndërkohë ka barazuar me Rumaninë, Kosovën, Bjellorusinë, Izraelin dhe sërish me Kosovën. Të shtunën në Basel ndeshja Zvicër – Kosovë përfundoi 1:1.

Një cikël të vështirë, Zvicra synon ta mbyllë me fitore dhe me vendin e parë në grup.

Në konferencën për shtyp Yakini është pyetur nëse ndeshja me Rumaninë do të jetë e fundit e tij në krye të Zvicrës.

Edhe Te Zvicra synojnë fitoren e katërt pa pësuar gol Futboll Te Zvicra synojnë fitoren e katërt pa pësuar gol

“Nuk është vendim që merret nga unë. Përfaqësuesja ka një ndeshje të rëndësishme nesër dhe të gjitha gjërat e tjera janë të parëndësishme. Kualifikimi ishte gjëja më e rëndësishme. Ne e kemi arritur këtë dhe e kemi merituar. Kjo është gjëja e vetme e vlefshme”, ka thënë Yakin.

Ai pret që ndeshja të jetë spektakolare për faktin që dy përfaqësueset mund të luajnë lirshëm.

“Duam të dominojmë ndeshjen dhe do të luajmë për fitore”, ka vazhduar Yakin.

Yakini ka mohuar se Granit Xhaka është i lënduar. Xhaka është kapiten i Zvicrës dhe tashmë rekordmen për numrin e paraqitjeve te Zvicra. Xhaka ndaj Kosovës e luajti ndeshjen e 120-të me Zvicrën. Xherdan Shaqiri i ka 118 paraqitje, sa edhe Heinz Hermann, që ka mbajtur rekordin për numrin e paraqitjeve që nga viti 1991.

Me shumë mundësi Xhaka e Shaqiri do të jenë në fushë në Bukuresht.

Edhe Yakin për sfidën ndaj Kosovës: Jo më ndeshje vëllazërore Futboll Yakin për sfidën ndaj Kosovës: Jo më ndeshje vëllazërore

“Granit Xhaka nuk është i lënduar. Nuk e di nga e morët këtë informatë. Ai ka luajtur 90 minuta të shtunën dhe do të luajë sërish nesër”, ka thënë Yakin.

Nëse përfundon e para në grup, Zvicra do të jetë në vazon e dytë në shortin për Evropian, që tërhiqet më 2 dhjetor. Nëse përfundon e dyta në grup, në short Zvicra do të jetë në vazon e katërt. Kjo nënkupton tre kundërshtarë më të fortë në grup.