Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin do ta publikoj të enjten listën e lojtarëve për ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2024”. Në listën e Yakinit për dy ndeshjet e këtij muaji pritet të jetë edhe sulmuesi kosovar Andi Zeqiri.
Kështu ka njoftuar gazeta e madhe zvicerane “Blick”. Ndeshjen e parë, Zvicra e luan në Novi Sad kundër Bjellorusisë më 25 mars, derisa të dytën në Gjenevë më 28 mars. Në Grupin I janë edhe Rumania, Kosova dhe Andorra.
Sulmuesi 23-vjeçar po kalon formë të mirë në Superligën e Zvicrës. Ka shënuar për Baselin shtatë gola dhe ka kontribuar me dy asistime në 19 paraqitje. Një gol ka shënuar edhe për Kupë të Zvicrës. Zeqiri është i huazuar te Baseli nga Brightoni. Ai për Zvicrën ka luajtur shtatë ndeshje.
Ndeshjen e fundit e zhvilloi ndaj Kosovës në miqësoren e 29 marsit të vitit të kaluar. Përballja në Zuerich pati përfunduar 1:1, ndërsa Zeqiri luajti nëntë minuta. Në listën e Zvicrës pritet të jenë edhe Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Me shumë gjasë do të jetë edhe Ardon Jashari. Jashari luajti disa minuta për Zvicrën në Kupën e Botës në Katar.