Federata e Futbollit e Zvicrës ka konfirmuar që sulmuesi Andi Zeqiri nuk do të grumbullohet me përfaqësëuesen helvetike për dy ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2024. Zvicra të shtunën luan ndaj Bjellorusisë në Novi-Sad të Serbisë, ndërsa më 28 mars e pret në Gjenevë përfaqësuesen e Izraelit. Zeqiri ka pësuar lëndim serioz të dielën në ndeshjen e Baselit ndaj Young Boysit dhe është larguar me barrelë nga fusha e lojës. Ai pritet të mungojë për kohë të gjatë. Zeqiri 23-vjeçar, u ftua në përfaqësuese pas një kohe të gjatë për shkak të formës së mirë që po kalonte te Baseli.
Ai ka shtatë ndeshje për Zvicrën, ndërsa ka luajtur për të gjitha grupmoshat e kësaj përfaqësuese. Sulmuesi kosovar këtë edicion i ka shënuar shtatë gola në 20 paraqitje në Superligën e Zvicrës. Zvicrës në këto dy ndeshje i mungon edhe Xherdan Shaqiri, që ka telashe muskulore. Kështu në përfaqësuesen për ndeshjen e veçantë në Novi-Sad të Serbisë prej shqiptarëve ka mbetur kapiteni Granit Xhaka.
“Selektori Murat Yakin nuk mund të llogarit në shërbimet e Xherdan Shaqirit, Gregor Kobelit, Jordan Lotombas dhe Andi Zeqirit për ndeshjet me Bjellorusinë dhe Izraelin. Christian Fassnacht, Cedric Itten, Michael Lang dhe Jeremy Frick janë nominuar për të zëvendësuar katërshen që mungon. Frick është në përfaqësuesen seniore për herë të parë”, njofton federata zvicerane.
Ndeshja me Bjellorusinë vlerësohet e veçantë për shkak që zhvillohet në Serbi. Bjellorusia e ka të ndaluar të luaj në territorin e saj për shkak të përkrahjes së pushtimit rus të Ukrainës. Dhe Bjellorusia ka vendosur që ndeshjen me Zvicrën ta organizojë në Serbi. Tifozët serbë kanë fyer Xhakën e Shaqirin si në Botërorin në Rusi në vitin 2018 ashtu edhe në atë “Katari 2022”, pasi dy shqiptarët u kujdesën për ta kthyer në shtëpi përfaqësuesen e Serbisë. Pritet të ketë masa të rrepta sigurie për ndeshjen në Novi-Sad. Ndeshja do të luhet pa praninë e shikuesve.
Në grup me Zvicrën e Bjellorusinë është edhe Kosova.