Sulmuesi i krahut, Nicolo Zaniolo, mund të jetë përforcimi i madh i skuadrës së Milanit në afatin kalimtar të janarit, ka raportuar “Football-Italia”, të martën. Drejtuesit e Milanit kanë kthyer sytë kah Zaniolo, i cili po shihet si zëvendësim ideal për Rafael Leaon.
Leao ka refuzuar rinovimin e kontratës dhe mund të shitet muajin e ardhshëm pas interesimit të madh nga Chelsea, Manchester City e PSG-ja.
Për ta lënë të lirë Zaniolon, skuadra e Romës po kërkon të paktën 60 milionë euro. Zaniolo ka kontratë me Romën deri në vitin 2024 dhe është njëri prej lojtarëve më të vlerësuar në kampionatin italian. 23-vjeçari ka shënuar tre gola dhe ka asistuar dy herë në 14 paraqitje në të gjitha garat për Romën.