Denis Zakaria më në fund ka debutuar te Chelsea. Madje, ai ka shënuar gol në ndeshjen e parë për ekipin anglez në Ligën e Kampionëve. Chelsea e mposhti Dinamo Zagrebin 2:1 dhe goli i Zakarias doli të jetë i fitores.
Pas ndeshjes, mesfushori 25-vjeçar ka zbuluar se trajneri i kishte thënë që të luajë sikurse në stërvitje. Ai është shprehur shumë i lumtur me golin dhe fitoren e ekipit.
“Tifozët e Chelseat janë të mrekullueshëm. Jam shumë i emocionuar, jam shumë i lumtur. Është e rëndësishme për mua të luaj ndeshje të mirë. U largova nga Juventusi për të luajtur dhe e prita shansin tim. Trajneri më tha luaj si në stërvitje. Bëra më të mirën”, u shpreh Zakaria.
Reprezentuesi i Zvicrës është huazuar te Chelsea nga Juventusi. Klubi anglez e ka të drejtën e blerjes në fund të sezonit.