Pedri Gonzalez i Spanjës është i pari në listën e tinejxherëve që pritet të kenë ndikim të madh në Kampionatin Botëror. Pjesë e kësaj liste janë edhe Jude Bellingham i Anglisë, Jamas Musiala i Gjermanisë dhe Gio Reyna e Yunus Musah, të cilët janë bashkëlojtarë te Përfaqësuesja e SHBA-së. Të pesë futbollistët janë 19-vjeçarë aktualisht. Reyna i mbush 20 vjet më 13 nëntor derisa Pedri dhe Musah do ta festojnë ditëlindjen e 20-të gjatë turneut në Katar.
Kupa e Botës nis më 20 nëntor, ndërsa finalja e kësaj ngjarjeje të madhe do të mbahet më 18 dhjetor.
Pedri Gonzalez (Spanjë)
Sikurse idhulli i tij, Andres Iniesta, Pedri po bëhet lojtar tejet i rëndësishëm i repartit të mesfushës si për Barcelonën ashtu edhe Përfaqësuesen e Spanjës. Edhe pse shënon gola pothuajse rregullisht, Pedri veçohet për pasimet e sakta dhe teknikën e mirë me top – sikurse Iniesta.
“Gjithmonë e kam adhuruar Iniestan dhe mënyrën e tij se si ka luajtur futboll. Ai ishte i veçantë, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, ka pranuar Pedri. “Iniesta gjithmonë ka qenë shembull për mua dhe vazhdimisht jam munduar të bëhem si ai, duke kopjuar çdo lëvizje të tij”.
Si anëtar i ekipit të Spanjës që humbi në finalen e Lojërave Olimpike të vitit të shkuar nga Brazili, Pedri do të përpiqet ta ndihmojë përfaqësuesen që në Katar të shkojë një hap më larg.
Jude Bellingham (Angli)
Duke luajtur për Borussia Dortmundin gjatë muajit tetor, Bellingham është bërë vetëm tinejxheri i tretë që ka shënuar gola në katër ndeshje rresht të Ligës së Kampionëve pas Erling Haalandit dhe Kylian Mbappes. Megjithatë, ka një dallim mes këtyre lojtarëve. Bellingham është mesfushor dhe nuk luan sulmues sikurse Haalandi e Mbappe. Bellingham, i cili është i gjatë 186 centimetra, ka qenë në gjendje ta përdorë fizikun e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Një paraqitje e mirë në Botëror vetëm do ta rriste edhe më shumë çmimin e Bellinghamit në tregun e futbollit. Ai po parashikohet që të shkojë hapave të Robert Lewandowskit dhe Haalandit. Të dy u larguan nga Dortmundi për të vazhduar karrierën në top klube të Evropës.
Jamal Musiala (Gjermani)
Në gjendje për të luajtur në çdo pozitë në mesfushë, Musiala mund të jetë çelësi i ringjalljes së Gjermanisë pas eliminimit në fazën e grupeve para katër vjetësh në Rusi, si kampione në fuqi e botës. I lindur në Gjermani por i rritur në Angli, Musiala mori vendim që në nivelin senior ta përfaqësojë Gjermaninë, ndonëse kishte luajtur deri te gjenerata U21 e Anglisë. Tashmë i njohur për aftësitë e pasimeve, Musiala po dëshmohet edhe si golashënues i denjë. Ai këtë edicion ka shënuar tetë gola në 15 paraqitje në të gjitha garat për Bayernin. Ndikimi i tij te Bayerni më së miri u vërejt kur Musiala ishte i përfshirë në tre prej katër golave në fitoren 4:0 ndaj Bayer Leverkusenit në muajin shtator.
Gio Reyna (SHBA)
I biri i ish-kapitenit të SHBA-së, Claudio Reyna, nuk e pa kurrë babanë e tij duke luajtur për përfaqësuesen amerikane. Kjo për shkak se Gio ishte shumë i vogël kur Claudio e pati paraqitjen e tij të fundit për SHBA-në, në Botërorin e vitit 2006 kundër Ganës. E ëma e tij, Danielle Egan Reyna, gjithashtu ka luajtur për SHBA-në.
Një mesfushor me tipare sulmuese ose sulmues i krahut, Gio këtë edicion është rikthyer në formë pas lëndimeve të shumta që i përjetoi edicionin e shkuar. Muajin e shkuar, Gio me një gol fantastik ia siguroi Borussia Dortmundit fitoren në kampionat kundër Stuttgartit. Ishte pikërisht ndeshja kundër Stuttgarit kur Gio pësoi lëndim edicionin e shkuar duke u mbyllur sezonin në muajin prill.
Yunus Musah (SHBA)
I lindur në SHBA nga prindër ganezë, Musah është rritur në Britani dhe ka luajtur për gjeneratat e reja të Anglisë përpara se përfundimisht të merrte vendim ta përfaqësojë vendlindjen e tij në nivelin senior. Musah është mesfushor i cili sezonin e shkuar e ndihmoi Valencian të arrinte deri në finalen e Kupës së Spanjës. Ishte i vetmi që e humbi penalltitë, gjë që i mundësojë Real Betisit ta fitojë trofeun. I rikthyer kohët e fundit nga lëndimi, Musah është i pazëvendësueshëm në formacionin titullar të SHBA-së, ku luan përkrah Tyler Adamsit dhe Weston McKenniet.
Të tjerët
Në Katar do të ketë lojtarë paksa më të vjetër, por që pritet të shpërthejnë. Ata janë Alphonso Davies (Kanada), Rafael Leao (Portugali), Boulaye Dia (Senegal), Kim Min-jae (Koreja e Jugu), Mohammed Kudus (Gana).
Davies (22) është titullar në formacionin e Bayernit, ndërsa ka ndihmuar Kanadanë të kualifikohet në Botëror për herë të parë që nga viti 1986. Leao (23) ishte më i merituari që Milani e fitoi titullin e kampionit të Italisë edicionin e shkuar dhe pritet të jetë i rëndësishëm te Portugalia. Dia këtë edicion po shënon rregullisht në Serie A, pasi është huazuar te Salernitana nga Villarreali. Tifozët e Napolit protestuan që klubi vendosi ta zëvendësojë Kalidou Koulibalyn me Kimin, i cili tani është ndër mbrojtësit më të vlerësuar në kampionatin italian. Ndërkohë Kudus ka shënuar nëntë gola në 16 paraqitje këtë edicion me fanellën e Ajaxit.