Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Talentet që pritet të shpërthejnë në Botëror

Kupa e Botës është gjithmonë një skenë globale e futbollit, në të cilën talentet e reja mund të shpërthejnë. Ky edicion i Botërorit, që mbahet në Katar dhe nis të dielën, mund t’i prezantojë në skenën e madhe disa prej lojtarëve që premtojnë shumë për të ardhmen.

Këta të rinj shpresojnë që Kupa e Botës t’i bëjë të njohur sikurse legjendën Pele dhe francezin Kylian Mbappe. Mbappe para katër vjetësh u shpall lojtari më i mirë i ri i turneut, ndërsa tani vlerësohet ndër sulmuesit më të mirë në botë.

Moises Caicedo

Fokusi fillimisht do të jetë në ndeshjen hapëse të Botërorit ndërmjet Katarit dhe Ekuadorit që zhvillohet të dielën. Derisa Katari synon fitore në paraqitjen e parë në Kupën e Botës, Moises Caicedo do të mundohet të jetë lider i mesfushës së Ekuadorit. 21-vjeçari ka qenë lojtari kryesor i Brightonit në Premier League dhe është i pazëvendësueshëm këtë edicion. Ai ka 25 paraqitje për Ekuadorin, ku në 15 prej tyre ka qenë startues. Me paraqitjet e mira në Botëror, Caicedo do ta tërheqë edhe më shumë vëmendjen e skuadrave të mëdha të Evropës.

Jude Bellingham

Mesfushori i Borussia Dortmundit është shndërruar shpejt në yll edhe pse është vetëm 19 vjeç. Ai vlerësohet prej lojtarëve më të shtrenjtë në Katar, pasi ekipi gjerman për kartonin e Bellinghamit po kërkon hiç më pak se 150 milionë euro. Në Botëror, Bellingham do të jetë titullar i padiskutueshëm tek Anglia. Dhe në rast se ndihmon ekipin e përzgjedhësit Gareth Southgate ta fitojë titullin e botës pas 56 vjetësh, atëherë vlera e tij do të rritet edhe më shumë. Real Madridi ka kohë që po e kërkon anglezin.

Cody Gakpo

23-vjeçari që luan si sulmues krahu e pati vetëm një paraqitje nga banka e rezervistëve në “Euro 2020” te Holanda. Por në Katar ai do të ketë rol tejet të rëndësishëm. Gakpo ka shpërthyer këtë edicion te PSV Eindhoveni, ku ka shënuar 13 gola deri më tani. Dhe, duke pasur parasysh se Memphis Depay ende nuk është rikuperuar plotësisht, atëherë nuk është e habitshme që përzgjedhësi Louis van Gaal do të mbështetet te sulmuesi i ri në turneun më të madh të futbollit.

Jamas Musiala

Mesfushori 19-vjeçar ka shijuar një fillim fantastik të këtij sezoni me Bayernin, duke shënuar 12 gola dhe asistuar nëntë të tjerë. Musiala është njëri prej lojtarëve më të talentuar të Gjermanisë, i cili do të jetë titullar i padiskutueshëm në përbërjen e përzgjedhësit Hansi Flick. Gjermania ka nevojë për një shpërthim të Musialas në Botërorin e Katarit dhe futbollisti i Bayernit është i gatshëm për ta dëshmuar veten në paraqitjen e parë në turneun madhor.

Mohammed Kudus

Kudus ishte duke luajtur për ekipin e të rinjve të Ajaxit këtë edicion, përpara se të ftohej në ekipin e parë dhe të shënojë katër gola në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. 22-vjeçari tashmë është dëshmuar lojtar i rëndësishëm te Gana, ku ka shënuar pesë gola në 18 paraqitje. Kudus do të jetë lojtar i rëndësishëm për Ganën, që në Katar po synon të arrijë përtej çerekfinales në Kampionatin Botëror.

Artikuj të ngjashëm