Pas kualifikimit të Zvicrës në Kampionatin Botëror “Katari 2022”, përzgjedhësi Murat Yakin do të mbetet në krye të ekipit edhe përtej vitit të ardhshëm. Mediumet zvicerane, kanë shkruar të martën se kontrata e tij që ishte valide deri në muajin mars të vitit të ardhshëm, automatikisht do të rinovohet deri pas Evropianit të vitit 2024.
Yakin në postin e përzgjedhësit të Zvicrës, e zëvendësoi Vladimir Petkoviqin, i cili u largua pas “Euro 2020” për ta marrë drejtimin e skuadrës nga Ligue 1, Bordeauxit. Zvicra e përfundoi ciklin eliminator për Botërorin që mbahet vitin tjetër në Katar në krye të Grupit C me 18 pikë, duke e lënë në pozitën e dytë Italinë që do të luajë në plejof.