Përfaqësuesja e Zvicrës në futboll ka pasur kualifikime të komplikuara për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm. Dhe kjo solli në dyshim mbetjen e Murat Yakinit në postin e përzgjedhësit. Kishte presion të madh ndaj Yakinit dhe ndaj Federatës së Futbollit të Zvicrës. Federata zvicerane kishte vërejtjet e saj dhe ka shqyrtuar të ardhmen e Yakinit. Të martën doli me vendim zyrtar.
Është vendosur që 49-vjeçari nga Baseli ta udhëheq Zvicrën në “Euro 2024”. Sipas njoftimit, Yakin ka arritur të gjitha synimet që i ishin vënë në kontratat e nënshkruar me federatën zvicerane.
Kualifikimi në Euro 2024 ishte synimi i fundit, që edhe u realizua.
“Ndonëse kemi barazuar pesë herë dhe kishim një humbje në kualifikimet e fundit, Murat Yakin ka besimin tonë të plotë. Ai ka përkrahjen tonë në të gjitha drejtimet në mënyrë që të jetë në gjendje që të marr pjesë në Kampionatin Evropian në Gjermani me ekipin më të mirë dhe stafin më të mirë të mundshëm”, ka thënë presidenti i federatës zvicerane, Dominique Blanc.
Yakini dëshiron që të përmbushë kontratën që është e vlefshme deri në verën e vitit 2024.
“Do të bëjmë çdo gjë që mundemi për të qenë të gatshëm që ta prezantojmë me sukses vendin tonë në Kampionatin Evropian, verën e ardhshme. Për këtë arsye në ditët dhe javët e ardhshme do të shohim të gjitha gjërat që mund t’i përmirësojmë. Duam të kemi një drejtim për të ardhmen”, ka thënë Yakin.
Yakin ka bindur drejtuesit e federatës zvicerane se është i duhuri për ta drejtuar përfaqësuesen. Këtë e ka bërë të ditur Pierluigi Tami, drejtori i përfaqësueses helvetike. Ai kishte dyshime nëse Yakin duhet të vazhdojë ta drejtojë Zvicrën.
“Murati na ka treguar zgjidhje konkrete për atë se si dëshiron ta zhvilloj më tej ekipin dhe stafin. Ai na ka bindur se është ende i duhuri për postin e selektorit”, ka thënë Tami.
Pas “Euro 2024” do të vendoset nëse Yakin do të mbetet edhe më tutje në postin e përzgjedhësit.
Zvicra ishte favorite e madhe e Grupit I të kualifikimeve për Euro 2024. Por u kualifikua vetëm si e dyta në grup. E para ishte Rumania me 22 pikë, ndërsa Zvicra mblodhi 17 pikë. Ndër të tjera barazoi dy herë me Kosovën.
Te Zvicra lojtarët kryesorë janë Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.