Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka folur për rëndësinë e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës te Zvicra. Ai ka thënë se është i kënaqur me paraqitjen e dy futbollistëve shqiptarë në të kaluarën, por edhe gjatë Botërorit në Katar. Yakin pret që dy futbollistët të jenë vendimtarë edhe në ndeshjet e ardhshme për “helvetikët”. Shaqiri dhe Xhaka janë prej kohësh liderë te Zvicra. Xhaka është kapiten, ndërsa Shaqiri zëvendëskapiten. Të dy futbollistët kanë kaluar shifrën e 100 ndeshjeve për Zvicrën.
“Ka qenë një pikëpyetje e madhe për Shaqirin, sepse ai nuk kishte ndeshje të forta. Por, nuk isha i shqetësuar për këtë. Nëse e shihni se si ka luajtur ai. Për mua ai ishte shumë i rëndësishëm, kishte momente vendimtare. Ai luajti edhe një ndeshje testuese kundër Ganës. Këtë se vuri re askush. Xhaka kishte një rol qendror, ai udhëhoqi skuadrën. Ka punuar mirë në mbrojtje e sulm. Në përgjithësi, jam shumë i kënaqur me dy lojtarët”, ka thënë Yakin në konferencën e fundit në Katar.
Zvicra u eliminua të martën mbrëma nga Portugalia në 1/8 e finales së Kupës së Botës, pasi u mposht me rezultatin 6:1. Por, Yakin u ka dalë në mbrojtje lojtarëve të tij. Ai ka theksuar se humbja nga Portugalia ishte “një ditë e keqe për lojtarët e Zvicrës”.
“Pas kualifikimit jetova për katër muaj, tani është e kundërta. I falënderoj lojtarët për angazhimin e tyre, për atë që në fund të fundit ishte një vit i mirë. Në fazën e grupeve kemi treguar ndeshje të shkëlqyera, intensive. I sollëm gëzim kombit të Zvicrës. Të martën thjesht nuk ishte dita jonë”, është shprehur Yakin. “Krijuam raste kundër Kamerunit. Na mungoi guximi kundër Brazilit, ndërsa kundër Serbisë kishte shumë guxim te lojtarët. Jemi në rrugën e duhur, kemi bërë disa përparime. Rezultati ndaj Portugalisë lë hije të keqe, por nuk ka rëndësi se me çfarë rezultati përjashtohesh. Jemi në një rrugë të mirë. Qendërmbrojtësi i Portugalisë, Pepe, ishte ende duke luajtur në nivelin më të lartë në moshën 39-vjeçare. Pastaj jam i bindur se do të jemi në gjendje t’i shijojmë lojtarët tanë për një kohë të gjatë”.
Ai është pyetur edhe për qasjen që Zvicra pati ndaj Portugalisë. Pas ndeshjes ndaj Portugalisë, Shaqiri në deklaratën e tij tha se i janë përmbajtur planit të trajnerit Yakin.
Yakin ka theksuar se me vendimi për mënyrën se si t’i qasen lojës ndaj portugezëve është marrë bashkë me lojtarët.
“Lojtarët kryesorë erdhën tek unë. Ne e shikuam strategjinë së bashku. Ne kemi punuar për këtë së bashku. Ne i morëm golat nga harkimet. Jo për shkak të sistemit. Por, sigurisht që nuk ishim as të freskët. Ne e vumë re”, ka theksuar Yakin që do ta drejtoj Zvicrën edhe në kualifikimet për “Euro 2024”.
Selektori Yakin ka folur edhe për kualifikimet për Evropianin vitit 2024. Zvicra e Kosova janë në Grupin I, së bashku me Izraelin, Bjellorusinë dhe Rumaninë. Ndeshjet kualifikuese nisin në mars të vitit të ardhshëm. Kosova ndeshjen e parë kundër Zvicrës do ta ketë në Prishtinë më 9 shtator, ndërsa të kthimit më 18 nëntor.
“Detyra ime është të motivoj dhe rindërtoj lojtarët. Mezi presim fushatën e re të Evropianit, ku synojmë kualifikimin për turneun e Gjermanisë”, ka thënë Yakin.
Të mërkurën ka folur edhe kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka. Mesfushori Xhaka ka thënë se do ta harrojë Kupën e Botës pasi përgatitet të rikthehet me Arsenalin, me të cilin po kalonin në një formë të jashtëzakonshme këtë sezon. Xhaka zbuloi se do të udhëtojë nga Doha në Dubai për t'u bashkangjitur me kampin stërvitor të Arsenalit në mes të sezonit.
“Sigurisht, emocionalisht nuk është e lehtë. Por kjo është pjesë e biznesit tonë, pjesë e futbollit. Duhet të rikuperoheni mirë. Premier League është duke pritur dhe, natyrisht, doja të isha këtu më gjatë se kaq. Por ne e humbëm ndeshjen dje dhe jam i lumtur që kthehem tani me ekipin. Unë po kthehem në Dubai, po kthehem tek ekipi, po kthehem në stërvitje dhe po përpiqem ta harroj Botërorin”, u shpreh kapiteni i Zvicrës.