Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, e di se ndeshja me Kosovën do të jetë e veçantë. Yakin e ka quajtur “vëllazërore” ndeshjen me Kosovën, që zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja i takon eliminatoreve për “Euro 2024”. Zvicra është e para në grup dhe favorite e madhe.
Yakin ka folur për ndeshjen me Kosovën në intervistën për gazetën zvicerane “20 Minuten”. Pjesa e dytë e kësaj interviste është publikuar të martën mbrëma.
“E di nga shorti që kjo mund të jetë një nga ndeshjet më intriguese në grup. Emocionale po ashtu. Ata kanë lojtarë që kanë lidhje me Zvicrën. Ne kemi lojtarë që kanë lidhje me Kosovën. Por emocionet e këtij dueli vëllazëror do të jenë plotësisht pozitive. Më shumë jam i brengosur për diçka tjetër”, ka thënë Yakin për mediumin zviceran.
Brenga e tij është fusha shumë e keqe në “Fadil Vokrri”.
“Fusha në Prishtina ishte në gjendje shumë të keqe në ndeshjen e fundit ndaj Rumanisë. Shpresoj se do të luajmë në fushë të mirë”, ka thënë Yakin.
Kjo në fakt ka pak gjasa të ndodhë. Fusha në “Fadil Vokrri” vazhdon të jetë shumë e rënduar. Sipas agjendës së publikuar në Federatën e Futbollit të Zvicrës, përfaqësuesja helvetike nuk planifikon fare të ushtrojë në “Fadil Vokrri”. Zvicra me shumë gjasa në fushë do të drejtohet nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.