Gjashtë xhudiste të Kosovës do të paraqiten në Grand Slamin që mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë prej të premtes deri të shtunën. Kosova ka fituar medalje në të gjitha garat e mëdha të xhudos në të cilat është paraqitur këtë vit. Dhe kjo seri synohet të vazhdohet edhe në Tbilisi.
Gjithsej në këtë garë garojnë 419 xhudistë nga 61 vende të ndryshme. Gara vlerësohet me peshë për të testuar formën para ngjarjeve të mëdha, e sidomos për të mbledhur pikë për ranglistën olimpike.
Në krye të ekipit të Kosovës janë kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Marrin pjesë edhe Loriana Kuka, Laura Fazliu, Flaka Loxha e Erza Muminoviq. Pra të gjitha xhudistet e ekipit olimpik.
Me dy kampionet olimpike në ekip, pastaj me të tretën në botë dhe të dytën në Evropë, mbetja pa medalje as që mendohet.
Të premten garojnë Distria, Nora, Erza e Flaka.
Distria është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe favorite e madhe për medalje. Ajo ka shfaqur formë të lartë në garat e këtij viti. Në kategorinë deri 52 kg, suksesin e kërkon edhe Erza Muminoviq.
Nora Gjakova është bartësja e katërt në kategorinë deri 57 kilogramë. Flaka Loxha nuk është bartëse në këtë kategori. Për Norën është gara e parë këtë vit. Ajo ka munguar nga dhjetori për shkak të shqetësimeve në krah, të cilin e ka operuar vjet.
Në kategorinë e Norës, por edhe në atë deri 52 kilogramë, konkurrenca vlerësohet shumë e fortë.
Të shtunën garon Laura Fazliu, që është bartësja e shtatë në kategorinë deri 63 kilogramë. Edhe Laura këtë vit ka shfaqur nivel superior. Ndërkohë të dielën garon Loriana Kuka, që nuk është bartëse në kategorinë deri 78 kilogramë. Loriana është në proces të kthimit në formën më të mirë dhe synon plasman të lartë.
“Gara është me rëndësi, ndërsa konkurrenca e fortë. Shpresojmë në paraqitje të suksesshme. Ka shumë xhudistë cilësorë dhe gara shërben si test i vërtetë për Botëror”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Xhudistet pak kohë më parë kanë përfunduar një kamp me ngarkesë të lartë fizike, që u shërben për ta fituar bazën për Botëror. Kampionati Botëror i këtij vitit mbahet në Doha të Katarit prej 7 deri më 13 maj.